Opozita e rezervuar ndaj kryeministrit Thaçi

Opozita e rezervuar ndaj kryeministrit Thaçi

Opozita e rezervuar ndaj kryeministrit ThaçiPërderisa Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka mbështetur punën e kryeministri Thaçi në dialogun që po zhvillohet në Bruksel, përfaqësues të subjekteve opozitare në Kuvend, kanë hedhur dyshime për mos transparencën që po e përcjellë këtë proces, duke thënë se kanë nevojë që tekstin e marrëveshjes së mundshme ta shohin në letër dhe jo fjalë.

Deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami ka thënë se integrimi i veriut është interes kombëtar.

Sipas tij, në këtë proces veriu është trajtuar si proces shtetëror dhe se njoftimi i kryeministrit ka qenë shumë korrekt. Bajrami ka thënë se marrëveshja e cila pritet të nënshkruhet në 2 prill është marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe jo vetëm për Asociacionin e Komunave Serbe.

Ai ka sqaruar se ky asociacion nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, sepse, sipas tij, në të kundërtën do të ndryshohej kushtetuta e vendit.

PDK ka kërkuar që në këtë proces Kosova të ketë garanci ndërkombëtare, që plani i implementimit të marrëveshjes të jetë i sofistikuar dhe i afatizuar pastaj që Bashkimi Evropian të shpërblejë Kosovën në procesin e integrimit në BE.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sabri Hamiti ka thënë se nga prezantimi i kryeministrit Thaçi duket se Kosova duhet të filloj festimet. Por ai ka thënë se dyshon se ka hapësirë për festime.

Hamiti ka kërkuar që nëse ekziston dokumenti i marrëveshjes, e cila pritet të nënshkruhet më 2 prill të sillet në Kuvendin e Kosovës, raporton KosovaPress.

Ai ka tërhequr vërejtjen që marrëveshjet e arritura duhet të jenë të shkruara. Sipas tij, marrëveshjet gojore kanë përfunduar dhe aq më pak janë të besueshme kur si bashkëbisedues është Ivica Dacic.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë ai, nuk beson se më 2 prill është Dita D për Kosovën.

Ndërsa Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se e vetmja gjë të cilën Thaçi po u ofron deputetëve dhe qytetarëve është fjala besoni, por sipas tij, nuk ka asnjë dokument që do të dëshmonte këtë kërkesë për besim.

Kryeministrit Thaçi, Aliu i ka thënë se Vetëvendosje nuk do t’i ndalin protestat sepse, sipas tij, lëshimet e Thaçit e kanë sjell Kosovën në gjendje që për të të diskutohen dokumente të ndryshme.

Përmes së drejtës së vetos në Kuvend, Aliu ka thënë se gjendja në Kosovë po bëhet edhe më e zezë se në Bosnje.

“Në këtë gjendje që e ke sjellë Kosovën nuk ke qenë i vetëm o Hashim Thaçi”, ka thënë Aliu.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka kërkuar që çdo marrëveshje e arritur të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë që dialogun e udhëhequr nga Thaçi e ka mbështetur edhe Aleanca Kosova e Re. Deputetja, Myzejene Selmani ka kërkuar që rezoluta e tanishme 1244 e Këshillit të Sigurimit të shfuqizohet dhe t’i hapet rrugë Kosovës të jetë anëtare e saj.