Opozita e përçarë shqiptare në Maqedoni

Opozita e përçarë shqiptare në Maqedoni

Partitë politike shqiptare të opozitës në Maqedoni janë të përçara skajshmërisht duke mos arritur pajtime rreth një koalicionimi të përbashkët.

Në prag të vendimeve për zgjedhje të parakohshme dhe zgjedhjeve lokale të 2013, partitë e opozitës shqiptare pritet të garojnë të ndara në këto zgjedhje.

Siç mëson agjencia e lajmeve INA, tashmë i është dhënë fund edhe idesë dhe projektit të bllokut të tretë politik shqiptar që do të përbëhej prej RDK -DR – BDSH. Këto tri parti nuk bënë asnjë përpjekje për të nënshkruar koalicionimin, që ishte paralajmëruar për t`u zyrtarizuar gjatë këtij muaji. “Nuk do të ketë një gjë të tillë dhe se secila parti do të shoh interesat dhe relevancën e saj se si do të veprojë në zgjedhjet e ardhshme. Nuk ka pasur mospajtime, por partitë veç e veç kanë vlerësuar pozicionimet e tyre, para se të nisin seriozisht implementimin e këtij projekti”, theksoi për INA, një përfaqësues i lartë i njërës nga këto tre subjekte politike.

Në PDSH si partia më e madhe opozitare theksojnë se po vazhdojnë strukturime dhe prurje të reja brenda kësaj partie, për t`u mobilizuar për zgjedhjet e ardhshme. Nga PDSH theksojnë se janë të interesuar për zgjerimin e bashkëpunimit të tyre me personalitete publike, organizata civile dhe me subjekte tjera politike shqiptare, por duke u bazuar në platformën politike të PDSH-së.

Ndarja e opozitës shqiptare në Maqedoni rrezikon përsëritjen e skenarit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, kur u shpërndanë votat dhe u sigurua një fitore bindëse e BDI-së. Kjo parti ka theksuar se sërish do të fitojë zgjedhjet e ardhshme lokale, duke vlerësuar se gëzon mbështetjen e elektoratit shqiptar në Maqedoni. (INA)