f1_04-akuzec1341385720

Opozita akuzon KF Deçani se po i shet ndeshjet

Opozita në Komunën e Deçanit i ka akuzuar të martën udhëheqësit e klubit të futbollit Deçani, se është duke bërë pazar me ndeshjet e këtij klubi dhe se disa prej ndeshjeve i ka shitur për 1.000 euro apo edhe më pak. 

Jeton Mushkolaj, këshilltar komunal nga opozita, ka thënë se një gjë e tillë është bërë e zakonshme për këtë skuadër.

“Këtu është kah bëhen dallavere e madhe, lojërat janë duke u shitur. E me këtë menaxhim kurrë s’ka me pas ekip të mirëfilltë që kishte synim të renditej në mesin e ekipeve më të mira të Kosovës”, ka thënë Mushkolaj. Këshilltari nga radhët e LDK-së, tutje ka nënvizuar se, edhe pse është opozitar, ka dhënë mbështetje të vazhdueshme që ky ekip të jetë ndër më të mirët. Por, sipas informacioneve të tij, klubi Deçani ka nevojë për ndryshim të menaxhimit.

“Vetëm vitin e kaluar ndeshjet Arbneshet – Deçani dhe Mushtishti – Deçani janë shitur për nga një mijë euro, ndërsa ajo ndërmjet Hasit dhe Deçanit është shitur për 700 euro”, ka nënvizuar Mushkolaj.

Në mbështetje të akuzave të tij, ka dalë edhe kolegia e tij opozitare Ardiana Qorraj (PDK). Madje, ajo ka shtuar se ka edhe dallavere të tjera, përpos shitjes së ndeshjeve të këtij klubi dhe se përpos që bëhet pazar me ndeshjet, shumica e lojtarëve të këtij klubi janë të blerë nga klubet e tjera dhe se ata nuk mbajnë stërvitje të rregullta me bashkëlojtarët e tyre nga Deçani.

“Po janë shumë të vërteta se ndeshjet shiten, për këtë e dinë të gjithë. Por, përpos që ndeshjet shiten edhe pagat e lojtarëve nuk janë të barabarta, ku më shumë marrin lojtarët që nuk janë deçanas se sa ata të këtushmit”, ka thënë Qorraj. Sipas saj, në këtë ekip ka edhe familjarizëm.

Zyrtarë komunalë të sportit kanë hedhur poshtë akuzat e këshilltarëve komunalë si të pavërteta dhe se, sipas tyre, ata kanë qëllime të tjera kur bëhet fjalë për klubin që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës.

Avni Rexhaj, zyrtar për sport i Komunës së Deçanit, ka deklaruar se e vërteta është ndryshe dhe se, sipas tij, KF Deçani, as nuk blen lojë e as nuk shet.

“Shumat e cekura nga opozita nuk janë të vërteta absolutisht, ato shumë kanë të bëjnë me shpenzime, siç janë transporti i lojtarëve, ushqimi i tyre e disa benificione të tjera. KF Deçani nuk ka mundësi as të blejë lojë e as të shesë”, ka thënë Rexhaj.

Njëjtë, edhe Sahit Qorraj, drejtor i KF Deçani, ka hedhur poshtë këto akuza të këshilltarëve opozitarë.

“Krejt gënjeshtra të thata janë, asgjë të vërtetë nuk ka”, ka nënvizuar drejtori i KF Deçani.

Ndërkohë, zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, thonë se deri më tash nuk kanë marrë asnjë ankesë apo sinjal për shitje të ndeshjeve nga kjo skuadër dhe të tjerat.

“Kushdo që ka informacione për shitblerje të ndeshjeve, është mirë që t’i deponojë ankesën dhe provat në Federatë, e në më pas i procedojmë për hetime nga organet kompetente”, ka thënë zëdhënësi i FFFK-së, Fazli Berisha, të martën.