OKB tenton të jetë pjesë e dialogut teknik Kosovë-Serbi

OKB tenton të jetë pjesë e dialogut teknik Kosovë-Serbi

Ban Ki-Moon tenton që OKB të bëhet pjesë e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë. Ai i ka shkruar një letër kryediplomates evropiane Catherine Ashton, me sugjerimin që pas GJND-së, emisari i tij Lamberto Zannier të përfshihet në këtë proces. Qeveria e Kosovës është plotësisht kundër. Prishtina kërkon dialog me lehtësim të BE-së dhe SHBA-së.

Gazeta Express ka siguruar nga burime ndërkombëtare kopjen e letrës së Ban Ki-Moonit drejtuar baroneshës Ashton, që mban datën 24 qershor.

“Jam i inkurajuar me rezultatet e bashkëpunimit mes OKB-së dhe BE-së në Kosovë. Përpjekjet tona të përbashkëta kanë çuar në rirreshtim të dukshëm të pranisë së bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe situata ka mbetur përgjithësisht stabile”, fillon letra e kreut të Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, ai shkruan se në Kosovë ka sfida, por edhe me ndikime më të gjera në sferën ndërkombëtare. Kjo gjendje, sipas tij, do të kërkojë një qasje koherente dhe gjithëpërfshirëse nga aktorët ndërkombëtarë të përfshirë në Kosovë.

Ban Ki-moon jep edhe këshilla se kur është koha më e përshtatshme që të kërkohet mënyra për t’u zgjidhur problemet e mbetura në Kosovë.
“Periudha pas publikimit të opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mund të jetë një rast i volitshëm për të hulumtuar se si është më së miri të adresohen sfidat e mbetura”, thuhet në letrën e tij. /Express/