16249-BanKi-Moon

OKB mbështet hetimet për ‘trafikim organesh’

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ofruar mbështetjen e misionit të saj në Kosovë, UNMIK-ut, për të ndihmuar hetimet rreth pretendimeve për trafikim të organeve njerëzore, të paraqitura në raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Këtë përkrahje e ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon në raportin e tij të rregullt për gjendjen në Kosovë, që përfshin periudhën prej tetorit të vitit të kaluar deri në gjysmën e janarit.

Ban thekson se publikimi i raportit të Dick Marty-t rreth ‘sjelljes johumane ndaj të burgosurve dhe tregtisë me organe njerëzore në Kosovë’ si dhe miratimi i rezolutës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka shkaktuar pakënaqësi të politikanëve në Kosovë dhe Shqipëri.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në raportin e tij, i cili do t’i dorëzohet Këshillit të Sigurimit, thotë se autoritetet e Kosovës, kanë hedhur poshtë pohimet e Marty, duke i cilësuar ato si sulm kriminal kundër shqiptarëve, të pambështetura në fakte dhe të drejtuara kundër pavarësisë së Kosovës.

Beogradi ndërkaq thuhet ta ketë përshëndetur raportin e senatorit zviceran, i cili e mori fuqinë e rezolutës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ban përkujton se UNMIK-u kishte bërë hetime në vitin 2003 mbi dyshimet për trafikim organesh në Kosovë dhe informacionet për këtë ia kishte dorëzuar Tribunalit të Hagës. Dosjet për këto hetime, siç thuhet në raport, UNMIK-u ia ka dorëzuar edhe misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.

Ky i fundit ka shprehur gatishmërinë për të bërë hetime por i ka kërkuar Dick Marty-t që t’i dorëzojë të gjitha dëshmitë të cilat ai pohon t’i ketë. /bbc/