Obama: Fund luftës në Irak
Barack Obama është presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që deklaron fundin e luftës në Irak. George Bush e bëri këtë më 1 maj të vitit 2003, ndërsa Obama të martën mbrëma nga Zyra Ovale.
Presidenti komunikoi fundin e misionit të luftimeve amerikanë në Irak. “Pasi paguam një cmim të madh, tani duhet të kthejmë faqen e historisë dhe të lëmë irakianët që marrin tërësisht në dorë situatën e sigurisë”, tha Obama.
Gjatë fjalimit të shumëpritur, Obama nuk foli për fitore ushtarake, por e cilësoi si një moment historik fundin e luftës.
“Sot njoftoj se misioni i luftimeve në Irak ka përfunduar. Operacioni ‘Liria e Irakut’ u përmbyll dhe irakianët janë përgjegjës për sigurinë e vendit të tyre”, tha Obama.
Kreu amerikan theksoi se janë tërhequr 100 mijë ushtarë amerikanë nga Iraku dhe janë mbyllur qindra baza, ndërsa shumë prej tyre iu janë transferuar irakianëve.