Obama e Merkel: Plane për bisedime mbi akuzat për përgjime

Obama e Merkel: Plane për bisedime mbi akuzat për përgjime

Obama e Merkel: Plane për bisedime mbi akuzat për përgjimePresidenti Barak Obama dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel ranë dakord për organizimin e një takimi mes zyrtarëve amerikanë dhe gjermanë të sigurimit gjatë ditëve të ardhshme për të diskutuar zërat se Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka përgjuar mbi 500 milionë telefonata, emaile dhe komunikime të tjera që kanë kaluar përmes Gjermanisë.
Kjo ndodh ndërkohë që Këshilli i Evropës ka sugjeruar që qeveritë evropiane të presin që Shtetet e Bashkuara të shpjegojnë situatën para se të bëhen reagime të panevojshme për këto zëra.

Akuzat për përgjimin e telefonatave dhe aktivitetit të internetit në Evropë kanë dominuar titujt e lajmeve.

Njoftimi për programin e përgjimit është bërë temë e nxehtë në fushatën zgjedhore në Gjermani. Social-Demokratët, që pritet të sfidojnë Kristian-Demokratët e zonjës Merkel, po kërkojnë që Berlini të hetojë zyrtarët amerikanë të zbulimit. Social-Demokratët kanë kërkuar që prokurorët gjermanë të shkojnë në Moskë për të marrë në pyetje Edward Snowdenin, ish-kontraktorin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare që akuzohet se ka nxjerrë informata për programin e përgjimit të kësaj agjencie.

Daryl Lindsey, redaktor i edicionit anglisht të gazetës Der Spiegel, e cila botoi dokumenta sekrete, thotë se partitë e opozitës ka gjasa t’i bëjnë presion zonjës Merkel për këtë çështje:

“Nëse rezulton se agjencia gjermane e zbulimit ka bashkëpunuar haptazi me Agjencinë e Sigurimit Kombëtar në Shtetet e Bashkuara për të mbledhur të dhëna të tilla, mund të ketë implikime serioze kushtetuese. Qeveria mund të ndeshet me probleme ligjore dhe mund të ketë pasoja për politikanët”. 

Jashtë Gjermanisë, reagimet kanë qenë më të buta. Daniel Holtgen i Këshillit të Evropës u ka bërë thirrje qeverive të presin shpjegimin e administratës Obama para se të reagojnë:

“Për momentin po u referohemi njoftimeve nga gazetat The Guardian and dhe Der Spiegel, por duhet të presim përgjigjen e Shteteve të Bashkuara, siç ka premtuar Presidenti Obama”. 

Akuzat për spiunazh nga Shtetet e Bashkuara janë pritur në Zvicër me thirrjet për qetësi nga Ministri i Jshtëm. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara pas akuzave për evazion fiskal nga shtetas amerikanë që përdorin llogari bankare zvicerane si dhe një akuzë nga Edward Snowden se agjentë të CIA-s kishin inkurajuar një bankier zviceran të ngiste makinën kur ishte i pirë, pasi kishin në plan ta rekrutonin si informator.

Simon Johner, zëdhënës i agjencisë zvicerane të zbulimit, tha për Zërin e Amerikës se akuzat nuk janë arsye për t’u çuditur. Ai thotë se zyrtarët zviceranë kanë qenë në dieni të prezencës së spiunëve të huaj në vend, veçanërisht për spiunazh industrial.

Eksperti i politikës së jashtme  Sergey Lagodinsky, i Institutit për Politika Publike Globale në Berlin thotë se administrata Obama duhet të tregojë vëmendje për ndikimin që do të kenë akuzat mbi diplomacinë publike:

“Mendoj se administrata duhet ta analizojë me kujdes këtë problem. Mendoj se këto përgjime kanë dëmtuar besimin e trans-atlanticistëve që mbeten në Evropë”. 

Shqetësimet se akuzat e fundit mund të minojnë bisedimet amerikano-evropiane për tregtinë duket se kanë qenë të pabaza. Dje Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti francez Fracois Hollande ranë dakord të heqin dorë nga kërkesa për shtyrjen e bisedimeve, pasi Uashingtoni premtoi se do ta diskutonte çështjen e përgjimeve në bisedime paralele me negociatat tregtare.