|

Nuk ka fonde për të mbështetur bujqit e Klinës

Nuk janë vetëm çmimet e larta të imputeve bujqësore ato që i shqetësojnë bujqit e komunës së Klinës. Por, shqetësim mbeten edhe keqpërdorimet me subvencione.

Tomë Milici, njëri ndër fermerët më të mëdhenj në këtë komunë, i cili këtë vit ka të mbjella 120 hektarë me grurë, tha për Radio Kosovën se ndihet i shqetësuar kur subvencionohen personat që nuk kanë pasur fare të mbjella sipërfaqe më kultura bujqësore.“Vitet e kaluara ka pasur keqpërdorim nga institucionet dhe vetëm i kanë marrë hektarët të caktuar nga bujq të pandërgjegjshëm që nuk janë prodhues bujqësor duke e dëmtuar prodhuesin e vërtetë. Kanë shkruar hektarë që nuk i kanë punuar dhe nuk i kanë mbjellë vet”, tha ai.

Fermeri, Sejdi Baleci, thotë se problemi kryesor mbesin çmimet e larta të farës dhe plehrave kimike.“Problemi më i madh është se nafta, plehu dhe farërat këtë vit kanë qenë shumë të shtrenjta. Ndërkaq, subvencionet janë ato që kanë qenë edhe vitin e kaluar dhe nuk kemi marrë asnjë cent më shumë. Prandaj leverdia është shumë më e vogël këtë vit se sa vitin paraprak”, deklaroi ai.Ndërkaq, Agron Ndrecaj, ngre si shqetësim stimulimin jo të mjaftueshëm që Komuna e Klinës, po bën për bujqit e kësaj komune.

“Unë si fermer që merrem me prodhimtarinë e qumështit dhe me drithëra, nga drejtoria për bujqësi në Klinë nuk kamë marrë subvencione, pothuajse sikur të mos ekzistonte kjo drejtori fare në komunën tonë. Dhe tani gradualisht me duhet të tërhiqem nga prodhimtaria e grurit”, thekson ai.Në anën tjetër, Musa Gashi, drejtor i Drejtorisë për Bujqësisë në Klinë, arsyetohet se kjo drejtori nuk ka buxhet për t`i mbështetur fermerët, duke ia hedhur përgjegjësinë Ministrisë së Bujqësisë.

“Ne nuk kemi buxhet, kemi pasur disa projekte të vogla për serra dhe për bletari. Ndërsa, këtë vit Ministria për Bujqësi për herë të parë subvencionin misrin dhe transferimi i parave është kompetencë e ministrisë, ndërkaq ne si komunë kemi kryer vetëm shërbimin e fermerëve. Kanë aplikuar mbi 200 fermerë për misër. Ne lëndët i kemi dërguar në ministri dhe tani është çështje e ministrisë”, deklaron ai.

Përderisa zyrtarë të bujqësisë në Klinë, apelojnë tek fermerët që të mbjellin sipërfaqe me kulturat bujqësore, bujqit pohojnë se sipërfaqe të mëdha të tokës në komunën e Klinës, rrezikojnë të mbeten djerrinë për shkak të pamundësi për t`i papunuar ato.

Komentoni