Fabregas_748258_thumb_large

Nuk jam Lionel Messi

Përforcimi i ri i Barcelonës, Cesc Fabregas ka insistuar se nuk është Lionel Messi dhe se ka shumëçka për t’u përmirësuar në Nou Camp. 

24 vjeçari më herët, gjatë këtij afati kalimtar të verës, kompletoi transferimin e tij të shumëpritur te gjiganti katalan nga Arsenali dhe tashmë ka bërë dy paraqitje për skuadrën e tij të re.

Duke shikuar përpara karrierës së tij të re, ish kapiteni i Arsenalit beson se duhet të dëshmohet në Nou Camp dhe paralajmëroi tifozët se nuk është Messi.

“Nga e hëna deri të hënën kam përjetuar kujtime të jashtëzakonshme dhe do t’i kujtoj për gjithë jetën. Nëse njerëzit më besojnë, ende dua të përmirësohem sepse kam shumë për të dëshmuar”, tha Fabregas për të përditshmen sportive katalane Sport.

“Më duhet të adaptohem në gjithçka. Nuk jam Messi. Gjithçka këtu është më e disiplinuar se në Arsenal. Kam mësuar rolin e ri defensiv, më duhet të punoj shumë për të fituar topin, por ngadalë do të mësoj më tepër”, vazhdoi ai.

Fabregas shënoi golin e tij të parë për Barcelonën të hënën në fitoren e thellë 5-0 ndaj Napolit në trofeun Gamper.

“Kënaqem që jam pjesë e këtij ekipi dhe që shënova golin tim të parë me fanellën e Barcelonës. Herën e fundit kisha realizuar me ekipin e të rinjve”, përfundoi ai.

Barcelona takohet me Porton në Superkupën e Evropës të premten, ndërsa Fabregas është në konkurrencë për të luajtur.