|

Nuk është shtuar asnjë rrugë për pesë vjet

Edhe pse për asfalt çdo vit janë ndarë nga buxheti i Kosovës me qindra miliona euro, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti i Statistikave të Kosovës (ESK), shihet se nga viti 2005 e deri në vitin 2010 në Kosovë nuk u është shtuar asnjë kilometër e re rrugëve.

Sipas të dhënave të ESK-së nga viti 2005 deri në vitin 2010 në territorin e Kosovës kanë qenë 1925.1 kilometër rrugë, çka bën të ditur se numri i kilometrave të rrugëve bazuar në kategorizimin e tyre është i pandryshueshëm dhe në vitin 2011. Në këtë vit Kosovës i shtohen 38 kilometër autostradë nga pika kufitare Morinë e deri në Suharekë.

Sipas të dhënave të ESK-së, në Kosovë janë 1.9 për qind të rrugëve ndërkombëtare 66 për qind janë rrugë magjistrale, ndërsa 32.1 për qind janë rrugë rajonale.

Më tej në publikimin e ESK-së “Përmbledhje e të dhënave të Transportit dhe Telekomit në Kosovë” publikohen të dhëna statistika rreth transportit hekurudhor në Kosovë. Në raportin e ESK-së thuhet se në vitin 2005 kanë shfrytëzuar trenin si mjet transporti mesatarisht rreth 870 udhëtarë për një ditë. Në vitin 2006, ka shënuar rritje për 26.56 për qind më shumë se në vitin 2005, shikuar në aspektin ditor i bie se kanë udhëtuar rreth 1100 udhëtarë brenda një dite.

Komentoni