Novobërda

Novobërda me nëntokë të pasur e banorë të varfër

Era që fryn ia hap setrën. Me duar mundohet që ta përthekojë atë, por jeleku i leshtë nën të e pengon. Pavarësisht nga acari dhe era e ftohtë që ia than duart e gjoksin, ai ecën nëpër rrugët e fshatit Bostanë, që njihet si qendra e komunës aktuale të Novobërdës. “Nuk kam çfarë të bëj, prandaj sorollatem rrugëve.

Nëse më teket e vizitoj ndonjë komshi. Në këtë mënyrë mundohem që ta mbys kohën”, ka thënë pjesëtari i komunitetit serb, Stojan Zdravkoviq, 71 vjeç. Opingat e mbathura nganjëherë i rrëshqasin në akull, por nuk e pengojnë plakun vital që ta përshkruajë rrugën kodrinore, skaj së cilës ndodhen shtëpitë njëkatëshe, të ndërtuara nga qerpiçi e me fasadë të dëmtuar nga vjetërsia. Pamjen e tyre e dekonstrukton ndonjë shtëpi e re.

“Populli nuk ka të holla. Është krizë e madhe ekonomike. Në Novobërdë të gjithë i ka kapluar varfëria”, ka deklaruar Zdravkoviq.  Ai e kujton me nostalgji kohën kur ka punuar në minierën e Novobërdës, që dekada më parë ka qenë shtyllë e ekonomisë dhe e mirëqenies së banorëve të kësaj ane, nga plumbi dhe zinku, por edhe argjendi e ari që nxirrej në sasi më të vogla.

Në saje të angazhimit gati 30- vjeçar në minierë, Zdravkoviq pohon të ketë krijuar patundshmëri, por edhe ka investuar në shkollimin e fëmijëve, sikur që kanë bërë edhe kolegët e tij të dikurshëm.  “Ajo kohë ka qenë e artë. Jeta ka qenë e gjallë në Novobërdë, njerëzit kanë pasur të holla dhe është jetuar me standard të mirë. Pos neve që kemi qenë nga Novobërda, këtu janë punësuar edhe nga komunat e tjera, Gjilani, Prishtina e Podujeva”, ka theksuar Zdravkoviq.

Sipas tij, mirëqenia e favorshme asokohe është reflektuar edhe në raportet e ndërsjella etnike. “Nuk ka pasur ndasi. Ka ekzistuar miqësi e madhe mes serbëve, shqiptarëve e romëve”, është shprehur plaku serb. Megjithëkëtë, kjo idile sipas tij ka përfunduar në fillim të viteve 90 me ngritjen e tensioneve etnike dhe zhvillimin e luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë, kur edhe është shembur industria e nxjerrjes, përpunimit e shitjes së mineraleve në Kosovë. “Miniera sot punon me kapacitet shumë të vogël dhe me shumë pak punëtorë.

Kjo ka ndikuar që në përgjithësi mos të ketë perspektivë për të rinjtë e kësaj ane. Prandaj shumica prej tyre edhe largohen nga Novobërda në qendrat më të mëdha”, është shprehur Zdravkoviq. Madje pa asnjë ngurrim shpreh bindjen se po të ishte miniera funksionale gjatë tërë këtyre viteve, atëherë edhe fati i Novobërdës do të ndryshonte, nga një vend rural në një qendër të zhvilluar.
Sidoqoftë, ka kohë që qyteza e Novobërdës e ka humbur rëndësinë e saj të dikurshme. Sipas gojëdhënave të banorëve lokalë, por edhe burimeve të shkruara historike, ky vendbanim ka qenë qendër e rëndësishme, veçanërisht gjatë mesjetës, në kohën e zhvillimit të xehetarisë. Kulmi i zhvillimit ekonomik e politik është arritur në saje të aktivitetit të minierës së Novobërdës, e cila njihej për minerale të arit, argjendit, plumbit e zinkut.

Këto pasuri janë bërë shkas që kjo trevë të shfrytëzohej edhe nga perandori të ndryshme, ushtritë e të cilave shfrytëzonin këtë rrugë edhe për marshimin drejt betejave. Në atë kohë besohet se Novobërda ka pasur edhe fabrikën e vet të monedhave dhe të stolive nga ari dhe argjendi. Si pasojë e këtyre aktiviteteve Novobërda sot ka trashëguar gjurmë të shumta arkeologjike, ku pos kalasë mesjetare dallohen edhe objekte kulti, banesa, varreza, furra për shkrirjen e xeheve etj.

Të gjitha këto dëshmi të së kaluarës sot janë vënë në funksion të zhvillimit të turizmit rural, me bujtinat e improvizuara në shtëpitë e disa familjeve serbe e shqiptare. “Për shkak se bëhet fjalë për një zonë rurale, kohëve të fundit i është kushtuar kujdes zhvillimit të turizmit, fushë kjo në të cilën disa familje të Novobërdës e kanë gjetur veten dhe mund të sigurojnë së paku një rrogë”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Driton Avdyli.

Zyrtari i lartë komunal ka sqaruar se miniera ka qenë burim kryesor i ekonomisë, ndërkohë që aktualisht ajo funksionon me kapacitet të zvogëluar. “Dikur aty kanë qenë të punësuar rreth 1 mijë e 500 punëtorë, e sot aty punojnë diçka më shumë se 10 për qind të këtij numri”, është shprehur ai.

Sipas tij, ringjallja e xehetarisë dhe përpunimit të metaleve kërkon investime të mëdha, për të cilën gjë edhe pritet intervenimi i nivelit qendror për gjetjen e kapitalit, i cili do të mundësonte rikthimin e punës në minierë me kapacitete të plota.  E derisa  të realizohet ky objektiv, Novobërda do të mbetet në kujtime si njëra ndër qytezat më të zhvilluara në Kosovë, që aktualisht është njëra nga komunat më të varfra të saj dhe me shkallë të lartë të migrimit të popullsisë.
Numri i banorëve të Novobërdës gjatë dekadave ka shkuar vazhdimisht duke u zvogëluar. Para  pak vjetësh sipas zyrtarëve në këtë komunë kanë jetuar afro pesë mijë banorë. Mirëpo dispozitat e Pakos së Ahtisaarit kanë paraparë që kjo komunë të zgjerohet me disa zona kadastrale që janë bartur nga komunat amë të Gjilanit e Kamenicës, duke bërë që Novobërda sot ti ketë afër dhjetë mijë banorë.

“Komuna e Novobërdës i ka pas 92 kilometra katrorë, ndërsa pas zgjerimit i ka 214 kilometra katrorë. Asaj i janë bashkuar 14 zona kadastrale, 10 nga Gjilani dhe 4 nga Kamenica, duke bërë që numri i banorëve të jetë afro 10 mijë”, ka bërë të ditur nënkryetari Avdyli, i cili ka sqaruar se 35 për qind prej tyre janë shqiptarë, derisa pjesën e mbetur e përbëjnë pjesëtarët e komunitetit serb, dhe një përqindje e vogël e romëve. Shtimi i numrit të banorëve ka rritur edhe sfidën për punësimin e tyre. “Papunësia e lartë është problemi primar. Prandaj si pushtet lokal ne i ofrojmë lehtësi dhe subvencione secilit investitor, pasi që zhvillimin ekonomik e kemi vendosur si prioritet të lartë”, ka pranuar Avdyli. Ndërkohë, përfaqësues të Zyrës Komunale për Punësim që funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale konfirmojnë shkallën e lartë të papunësisë. “Sfida kryesore e Komunës së Novobërdës është zhvillimi ekonomik.

Momentalisht në zyrën tonë janë të regjistruar mbi një mijë të papunë, por në realitet ky numër është më i madh, meqë jo të gjithë të papunët janë regjistruar në zyrën tonë”, ka thënë zyrtari për punësim, Mehmet Gashi. Sipas tij, mungesa e bizneseve aktive ka bërë që papunësia të mbetet e lartë, bashkë me funksionimin e limituar të minierës. “Deri tani në saje të bashkëpunimit të mirë me minierën kemi arritur që t’i punësojmë disa persona aty. Këtë muaj me ndërmjetësimin tonë janë punësuar tre punëkërkues, ndërsa vitin e kaluar janë punësuar 25 persona”, ka deklaruar Gashi, duke sqaruar se ndërmjetësime në numër simbolik ka pas edhe për angazhime sezonale te bizneset lokale.
Mirëpo krahas punësimit, një tjetër sfidë në këtë komunë mbetet bashkëjetesa mes komuniteteve. Tabela e ndryshkur, ku me shkronja të shlyera shkruan qendra rinore “Marthin Luther King”, është treguesi më i mirë për nevojën e forcimit të frymës luteriane në këtë komunë.

Edhe pse disa banorë deklarojnë se bashkëjetesa është e mundshme, ata vazhdojnë që t’u binden dy sistemeve të ndara, institucioneve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Derisa para ndërtesës së Komunës në Bostan të Novobërdës valon flamuri shtetëror i Kosovës, në ndërtesën e komunës paralele serbe në fshatin Prekovc nuk ka asnjë shenjë se bëhet fjalë për administratë lokale.

Zyrtarët e komunës paralele janë të vendosur në kthinat e një ish-depoje, ku katet e zyrat janë të ndara me material druri. Zyrtarët e komunës paralele nuk kanë pranuar që të prononcohen për “Kohën Ditore”. Në anën tjetër, pjesëtari i komunitetit serb Danilo M. ka pranuar se i shfrytëzon shërbimet e të dyja administratave, varësisht nga nevoja që ka. “Shkoj te të dyja komunat, edhe pse deri tani nuk kemi pasur ndonjë leverdi të dukshme”, është shprehur ai.

E pjesëtari i komunitetit rom, Hazer Jashari, ka pohuar se në këtë komunë me gjithë ndasitë etnike, kohëve të fundit nuk ka pasur tensione të larta. “Të gjithë e kemi brengë papunësinë”, ka thënë Jashari, i cili dikur ka punuar në një minierë tjetër të afërt, atë të Kishnicës. Ai nuk sheh ndonjë dallim mes institucioneve të Kosovës e Serbisë. “Tani s’jemi në punë dhe jetojmë nga ndihmat sociale. Kushdo që na jep diçka është e mirëseardhur për ne fukaranë”, ka thënë ai
Përderisa banorët presin ditë më të mira, zyrtarët e institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e procesit të decentralizimit janë shprehur të kënaqur me rrjedhën e deritanishme të zgjerimit të Komunës së Novobërdës, ndonëse e pranojnë se sfidë kryesore vazhdon të mbetet zhvillimi ekonomik. “Jemi të kënaqur me të arriturat e deritanishme në Komunën e Novobërdës.

Bartja e kompetencave nga komuna amë në atë të Novobërdës ka vazhduar, burimet janë ofruar dhe institucionet janë forcuar në nivel lokal. Sa u përket dispozitave të Planit gjithëpërfshirës për Statusin, disa dispozita dhe kompetenca duhet të zbatohen në tërësi, si për shembull në fushën e edukimit. Por sfida kryesore në këtë komunë mbetet zhvillimi ekonomik”, ka thënë zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Kai Muller-Berner. Sipas tij, ICO-ja mirëpret edhe bashkëpunimin më të madh mes komuniteteve, edhe pse të arriturat e deritanishme kanë qenë inkurajuese.

Ndërkaq sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, ka pohuar se zgjerimi i Novobërdës është përshkruar me dy çështje sfiduese, përfshirjen e komuniteteve pakicë prej vendbanimeve që i janë bashkëngjitur Komunës dhe transferimin e shënimeve e dokumentacionit nga komunat amë, që sipas tij po përmbushen me sukses, edhe pse është dashur kohë e përkushtim për realizimin e tyre.

Megjithëkëtë, ai është pajtuar me konstatimin se zhvillimi ekonomik mbetet prioritet kryesor pasi bëhet fjalë për një komunë të varfër, ku ekonomia e biznesi janë në shkallë të ulët të zhvillimit, që vështirësohet edhe më shumë nga fakti që bëhet fjalë për një terren malor dhe me vendbanime të shpërndara. “Për këtë arsye në forume të ndryshme vazhdimisht insistojmë që të ndahet buxhet shtesë për pushtetin lokal në Novobërdë, por dhe për realizimin e projekteve, ngase kemi të bëjmë me një komunë ku shumë fusha kanë nevojë për subvencionim”, ka thënë Osmani.

Sipas tij, pjesëmarrja e komunitetit serb në pushtetin lokal është në rritje e sipër dhe është inkurajues për përfshirjen e këtyre banorëve në jetën institucionale. Stojan Zdravkoviqi integrimin e bashkëkombësve të tyre e sheh vetëm përmes progresit në punësim. “Novobërda është lënë në harresë. Hapja e minierës dhe krijimi i vendeve të punës është mënyra e vetme që krijon harmoni mes të gjithë njerëzve”, ka thënë ai .  /(“Koha Ditore”)