Njerëzit e politikës në borde, konkursi formal

Njerëzit e politikës në borde, konkursi formal

Veç sa për të përmbushur një formalitet është shpallur konkursi për anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike qendrore e lokale. Anëtarë bordesh do të bëhen vetëm ata që kanë dekretin e partive në pushtet.

“Koha Ditore” ka një listë njerëzish të propozuar për borde që ka nxjerrë Koalicioni për Kosovë të Re, i cili është partner kryesor në koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike.

Janë 16 ndërmarrje në proces të zgjedhjes së anëtarëve të bordeve, e në secilin KKR-ja do të ketë nga dy njerëz nga pesë ose shtatë sa kanë gjithsej organet më të larta të këtyre ndërmarrjeve. Ngaqë në KKR-ja ka disa subjekte politike, midis anëtarëve do të ketë nga AKR-ja, PD-ja dhe nga E15-shi.

Një burim i ka thënë gazetës se KKR-ja ia ka dorëzuar PDK-së këtë listë, ndërsa e kundërta nuk ka ndodhur. Sipas këtij burimi, PDK-ja ka eksperiencën e mëhershme në dërgimin e njerëzve të saj në këto borde dhe politizimin e tyre e bën në mënyrë të sofistikuar.

Po sipas këtij burimi, do të jetë kryeministri Hashim Thaçi me një këshilltar të tij, nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, si dhe përfaqësues të minoriteteve që në fund do të vendosin për njerëzit që do t’i çojnë në bordet e ndërmarrjeve qendrore. Kjo pavarësisht se me ligj kërkohen që kandidatët të përmbushin një varg kushtesh që precizohen edhe në konkurs, dhe të cilët nuk guxojnë të kenë pasur funksione në subjekte politike në 36 muajt e fundit.