Njerëz të armatosur marrin nën kontroll Parlamentin e Krimesë

Njerëz të armatosur marrin nën kontroll Parlamentin e Krimesë

Njerëz të armatosur marrin nën kontroll Parlamentin e KrimesëSituata në Krime po tensionohet edhe më shumë. Në Simferopol njerëz të armatosur kanë nën kontroll Parlamentin dhe ndërtesën e qeverisë së rajonit. Gjermania shpreh shqetësimin e saj për gjendjen aktuale në Krime.

Pas rrëzimit të qeverisë në Ukrainë, gjendja në vend në pjesën e banuar me shumcë rusë etnikë, Krime ka arritur kulmin. Njerëz të armatosur kanë pushtuar ndërtesat e Parlamentit dhe të qeverisë së këtij rajoni në gadishullin e Detit të Zi. Sipas të dhënave të agjencisë së lajmeve Iterfax, ata i kanë cilësuar këto veprime si vetëmbrojtje të popullsisë ruse në Krime. Flamuri rus është ngritur në dy ndërtesat në kryeqytetin Simferopol dhe autoritetet nuk kanë bërë ende ndonjë deklaratë lidhur me situatën.

Marrja nën kontroll e ndërtesave vjen një ditë pas përballjeve mes separatistëve pro-rusë dhe mbështetësve të liderëve të rinj të Ukrainës për vetëmbrojtje të popullsisë ruse në Krime. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen ka shprehur shqetësimin e saj për situatë aktuale në Krime. Shpërbërja e Ukrainës do të parandalohet dhe do të përforcohen forcat e moderuara, tha politikanja e CDU-së në takimin e ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Bruksel.

Ndërkohë forcat ukrainase të sigurisë janë vënë në gjendje gatishmërie.

Edhe ministri i Brendshëm ukrainas, Arsen Avakov konfirmoi faktin se zona në Simferopol është rrethuar nga forca policie për të shmangur gjakderdhjen dhe tha se uzurpimi i ndërtesave është një akt “provokues”. Personat që kanë rrethuar ndërtesat nuk kanë bërë ndonjë kërkesë apo ndonjë deklaratë, por u vendosën atje duke thënë se “Krimea është Rusi”. “Janë marrë masa për të frenuar veprimet e ekstremistëve dhe për të mos lejuar që situata të përshkallëzohet në një përballje të armatosur në qendër të qytetit”, deklaroi Avakov në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Flota ushtarake detare ruse në Sevastopol
Flota ushtarake detare ruse në Sevastopol

Në portin e Krimesë, në Sevastopol është stacionuar baza ushtarake e flotës detare ruse. Ministria e Jashtme në Moskë njoftoi se do të mbrohen pa kompromis të drejtat e rusëve në Ukrainë.

Ka shkelje në një shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut, sulme dhe vandalizën në vendin fqinjë, thuhet më tej në deklaratën e ministrisë. Përveç se në Krime, edhe në lindje të Ukrainës banojnë shumë rusë etnikë.

Në Parlamentin ukrainas këtë të enjte(27.02) do të votohet qeveria e përkohshme nën drejtimin e politikanit 39 vjeçar Arseni Jazenjuk. I ashtuquajturi këshilli i Maidanit kishte miratuar në sheshin e pavarësisë në Kiev nominimin e tij si kryeministër i qeverisë së përkohshme.