|

Një vështrim i vonshëm për “On the Road”

Bibla e gjeneratës së beat-ave, “On the Road” u dha premierë në Cannes, të mërkurën, pas më shumë se pesë dekadash prejse është shkruar rrëfimi për çlirimin frenetik dhe botën mashkullore në Amerikën e pasluftës.

Rrëfimi i shkruar në roman më në fund ka prekur ekranin e madh. I shkruar me zemërim në një makinë shkrimi për jo më shumë se tri javë më 1961, “On the Road” i Jack Kerouac është gjysmëportret i kulturës dhe mënyrës së shprehjes së “beat”.

Versioni i filmit i sjellë nga regjisori brazilian Walter Salles (“Motorcycle Diaries”) përpiqet të zaptojë më shumë energjinë dhe abuzimet e drogës në rrethanat e librit origjinal. Salles është ndihmuar nga aktori britanik, Sam Riley, në rolin e protagonistit Sal Paradise, dhe nga aktori amerikan Garret Hedlund në rolin e Dean Moriaty.

Burri sharmant e aventurier bëhet mik i Paradise dhe miqësia e tyre shtjellohet në një seri udhëtimesh nëpër rrugë. “Ka të bëjë me humbjen e pafajësisë, kërkimin e kufirit të fundit, të cilin ata nuk do ta gjejnë kurrë”, u ka thënë Salles gazetarëve në Cannes. “Po ashtu ka të bëjë me zbulimin e asaj se ky është fundi i rrugës dhe fundi i ëndrrës amerikane”, ka shtuar ai.

Kristen Stewart, e cila u bë e famshme me serinë e filmave për vampirë “Twillight”, luan bashkëshorten e Moriatys, derisa Kirsten Dunst luan gruan e dytë, Camillen. Salles ka thënë se ai dhe ekipi i filmit kanë “respekt të madh për Kerouac” dhe kjo i ka ndihmuar gjatë procesit që nga koha kur Francis Ford Coppola bleu të drejtën për të realizuar librin në film, më 1979. “Ideja për ta realizuar ‘On the Road’ në film ka qenë e parealizueshme, derisa Walter ngiti dorën dhe tha se ‘mendoj që mund ta bëj film këtë’, ka thënë djali i Coppolas, Roman, i cili është bashkëproducent i filmit. “U deshën 30 vjet, por është një përshtatje e natyrshme me Walter”.

Shumica e vështrimeve ishin negative.

“Duket e gjatë dhe e lodhshme të zhytemi në festën e dikujt tjetër pa e ditur se kush janë këta njerëz që dehen me uiski”, ka shkruar Dave Calhoum në revistën londineze “Time’s Out”.

Gazeta britanike “The Telegraph” e ka titulluar “film i lodhshëm”, derisa “Evening Standard” ka thënë se “duket sikur mungon pasioni i të shkruarit të mrekullueshëm të Jack Kerouac”. Droga, seksi dhe jazz muzika janë në fokus të “On the Road”, derisa protagonistët kryesorë kërkojnë lirinë e trupit dhe të mendjes nëpër klube të jazz-it, kampe emigrantësh e depo hekurudhash. “Mendoj se një film i rrugës është diçka që më bën mua regjisor dhe i qëndroj besnik kësaj”, u ka thënë Salles reporterëve. Ai ka thënë se ka gjetur paralele midis kërkimit të Kerouac për inspirim përmes jaazzit, pasi ai e ka shkruar romanin me një stil improvizues të punës së një regjisori. “Gjithmonë duhet të vështroni se çka do të gjeni rrugës dhe kjo është mënyrë për të krijuar imazhe fantastike”.

Etiketa:

Komentoni