Nishani: Do të bëhet bashkimi shqiptarëve sipas modelit evropian!

Nishani: Do të bëhet bashkimi shqiptarëve sipas modelit evropian!

Nishani: Do të bëhet bashkimi shqiptarëve sipas modelit evropian!Intervistë ekskluzive me presidentin e Shqipërisë, z.Bujar Nishani – Presidenti i Republikës së Shqipërisë në një intervistë ekskluzive për dialogplus tregon se ku ishin dhe ku janë shqiptarët sot.

Bujar Nishani porosit gjeneratën e re në diasporë që ta ruajnë thesarin më të madh të identitetit tonë kombëtar-gjuhën shqipe si pasuri reale të kulturës evropiane e botërore.

Intervistuan Llukman HALILI & Dashnim HEBIBI

Presidenti i Republikës së Shqipërisë në një intervistë ekskluzive për dialogplus tregon se ku ishin dhe ku janë shqiptarët sot. Bujar Nishani porosit gjeneratën e re në diasporë që ta ruajnë thesarin më të madh të identitetit tonë kombëtar-gjuhën shqipe si pasuri reale të kulturës evropiane e botërore.

Zoti president, ku ishin shqiptarët dje dhe ku janë sot?

Ju falënderoj që keni ardhur dhe për interesin që keni treguar. Personalisht i kam për zemër kontaktet me mërgatën. Fatkeqësisht që jemi ndarë nëpër shumë shtete. Por, e kemi fatin e mirë që e kemi edhe një emigracion të shëndoshë. Në radhë të parë ju jem mirënjohës për punën që po e bëni atje. Se ruajtja e gjuhës e traditës është një përgjegjësi për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Diaspora e ka një potencial të madh. Mirë do të ishte ta kemi një rrjet të miqve të Shqipërisë. Të gjitha kapacitetet e botës shqiptare që janë jashtë kufijve të Shqipërisë e veçanërisht në Diasporë të gjejnë një qasje për komunikim. Ide për zhvillim të ekonomisë, kapaciteteve intelektuale etj. Besoj dhe ka argumente të forta, është një realitet që nuk mund të mohohet se shqiptarët janë më mirë se dje.

Sot është edhe e konfirmuar dhe provuar e veçanërisht në Ballkan se faktori shqiptar është kryesor. Më së pari është e rëndësishme, si faktor i gjenerimit të një kulture dhe tradite shumë të hershme të një trashëgime, popullsie dhe kombi të vjetër të rajonit, i cili nëpërmjet vlerave të kulturës e identitetit të tij dhe historisë tregon që rajoni i Ballkanit është rajon evropian, por i cili ka trashëguar zhvillime shumë dinamike, nëpërmjet përplasjesh, kontestimesh, bashkëjetese, luftërash dhe natyrisht gjithmonë në këtë rajon shqiptarët kanë qenë ata, se sa herë është dashur në një dinamizëm i vlerave më të mëdha të njerëzimit, shqiptarët e kanë mbrojtur, prezantuar dhe ruajtur këtë identitet dhe vlerë njerëzore. Së dyti, ka të bëjë me faktin se shqiptarët janë qytetarë dhe një komb të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë garanti kryesor i paqes dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit. Ndaj, pas ndryshimeve të mëdha që ndodhën në sensin ekonomik, social dhe politik në Ballkan, e kam fjalën pas viteve të ‘90-ta, kur në tërësi vendet e Ballkanit dolën nga sistemet totalitare, e Shqipëria nga më i keqi i mundshëm, por natyrisht më pas me pavarësinë e Kosovës, shkëputja nga pushtimi serb dhe duke i rezistuar gjenocidit e dhunës në këtë rast. Marrja pas Marrëveshjes së Ohrit, e cila ende mbetet ende paevindetuar plotësisht e një dimensioni më të gjatë e dinamik të kontributit të shqiptarëve në Maqedoni.

presidentiiiii

Pavarësia e Malit të Zi nga ish-Jugosllavia me një kontribut thelbësor të shqiptarëve dhe konsolidimi i kësaj pavarësie po me kontributin dhe me ekzistencën e konsoliduar të faktorit shqiptar atje. Me një dinamizim të vlerave që ka të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve nëpërmjet zërit dhe dinamizmit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Pra, të gjitha këto elemente me harmoni njëra me tjetrin e kanë përkthyer faktorin shqiptar në kontekstin politik dhe rajonal në një faktor fondamental dhe jetësor të garancive të parimeve më të mira të paqes e stabilitetit. Dhe, natyrisht duke i promovuar vlerat dhe angazhimet e një fqinjësie të mirë e marrin një dimension dhe kolor të plotë e të mirë këto parime që transmeton kombi shqiptar. Në anën tjetër, në mënyrën më specifike kemi edhe disa zhvillime historike, ku Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s dhe si një anëtare e NATO-s, kontributi i shqiptarëve për sigurim në tërësi të rajonit është një vlerë shumë e madhe. Kosova tashmë jo vetëm si një shtet i pavarur, por edhe si një aktor dhe si një zë me vokal gjithnjë e më shumë i barabartë me vendet e tjera në angazhime rajonale. Në anën tjetër, zëri i faktorit shqiptar në Maqedoni gjithmonë në avancë për t’u qasur me kërkesat kryesore që ka BE-ja dhe ajo euroatlantike ndaj Maqedonisë për t’iu bashkangjitur këtyre familjeve. Pra, faktori shqiptar në rreshtin e parë për t’i promovuar këto vlera e ka shtuar edhe më shumë rëndësinë e tij. Pra, shqiptarët në mënyrë të përmbledhur, sot janë më të lirë në një shoqëri shumë më demokratike në një proces dinamikë të zhvillimit ekonomisë dhe infrastrukturës së tyre dhe me një mentalitet shumë të avancuar evropian në shtetet dhe vendet ku ata jetojnë.

Do të duhej një përfaqësim i përbashkët diplomatik i shqiptarëve nëpër vendet e ndryshme të Evropës. Pra, a ka ardhur koha që të mendohet për këtë?

Besoj se ajo është efiçiente. Në radhë të parë duhet t’i bëjmë gjërat konkrete dhe duhet ta lëmë më modelin dhe stilin e thjeshtë dhe me retorikë të kalojmë, pra me veprime konkrete. Kjo mund të niset fare mirë nëpërmjet zyrave dhe misioneve të shërbimit konsullor. Për të shmangur çdo vështirësi tjetër që mund të dalë për krijimin e një trupe të përbashkët diplomatike. Shërbimi konsullor ajo mund të jetë mirë dhe në mënyrë efiçiente dhe një domosdoshmëri. Qoftë Shqipëria apo Kosova t’i kenë zyrat konsullore të përbashkëta, sepse tashmë kemi të bëjmë edhe me lëvizjen e lirë të njerëzve, që është njëri ndër parimet themelore dhe dimensionet e të të drejtave të njeriut. Kemi kapacitete shumë të mëdha shqiptare nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët jetojnë me vite në emigracion, e që zëvendësojnë gjenerata e gjenerata, kështu që ai është një hap pozitiv, ku veçanërisht pjesa e shërbimit konsullor është tash një domosdoshmëri dhe nuk ka më asnjë justifikim mbetja ende në fazën e konstatimeve.

Diaspora shqiptare, posaçërisht në Zvicër me gjeneratën e tretë dita-ditës po shndërrohet në një faktor shumë të rëndësishëm në jetën politike dhe shoqërore të Zvicrës. Si e vlerësoni këtë?

Dëshiroj që të përfitoj nga rasti që nëpërmjet kësaj interviste të revistës suaj apo qendrës suaj mediale t’i përshëndes përzemërsisht të gjithë sportistët me origjinë shqiptare kudo që janë, qoftë në Zvicër, apo në botë. Shqiptarët kanë talente të shumta, pra edhe në sport. Mbi të gjitha, unë e shoh që nevojën që Diaspora ta ketë një komunikim të drejtpërdrejtë me shtetet tona, siç janë Shqipëria dhe Kosova, të cilat janë shtetet e origjinës së familjeve tyre, e të cilat mund të shërbejnë si një urë lidhëse për ta sjellë më afër dhe për ta bërë më real perceptimin që ekziston ndaj Shqipërisë apo Kosovës, e në tërësi ndaj të kombit shqiptarë në shoqëritë evropiane, e veçanërisht në shoqërinë e Zvicrës. Ne duhet ta kemi parasysh se përveç shumë sfidave të mëdha që kemi, njëra prej tyre është shumë problematike, e cila është serioze dhe duhet trajtuar me shumë seriozitet. Ekziston një diferencë e madhe ndërmjet perceptimit që ekziston ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në botën perëndimore, veçanërisht ndërmjet qytetarëve evropianë në krahasim me realitetin që ekziston në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo vjen për shkak të disa arsyeve, të së shkuarës, izolimit që ka pasur Shqipëria, për shkak të Kosovës që ka qenë e pushtuar dhe pamundësisë për t’i shpalosur drejtpërdrejt vlerat dhe çka reflektonte në tërësi tradita dhe identiteti shqiptar e kultura shqiptare. Kanë qenë qytetarët evropianë dhe vazhdojnë të mbeten jo mjaft të informuar, për çfarë përfaqëson identiteti i kombit shqiptar, trashëgimia e tij kulturore, parimet që ai ka.

Për shembull, jam i bindur se shumë pak mund ta dinë edhe midis qytetarëve zviceranë se gjuha shqipe tashmë është e provuar nga studiuesit më serioz evropianë, se gjuha shqipe është më e vjetra e rajonit. Dhe, është i rëndësishëm procesi, i cili është i lidhur me ruajtjen e kësaj gjuhe. Se proceset historike që kanë kaluar shqiptarët kanë qenë shumë të vështira. Se është dashur të mbijetojnë dhe ta ruajnë identitetin e tyre. E dihet se identiteti, në radhë të parë, ruhet nëpërmjet gjuhës dhe nëpërmjet pjesës tjetër zakonore e të kulturës. Kështu që përpjekjet që kanë bërë shqiptarët për ta ruajtur gjuhën kanë qenë të jashtëzakonshme dhe ato jo vetëm e konfirmojmë identitetin e origjinën më të hershme të shqiptarëve, por në anën tjetër janë një pasuri reale e kulturës evropiane e botërore, në përgjithësi. Kështu që çështja e gjuhës nuk duhet të mbetet vetëm në formatin kulturor, por edhe brezi i ri e ka për të detyrë ta ruajnë këtë visar, siç është gjuha shqipe. Prandaj, duhet një bashkëpunim ndërmjet s institucioneve të Shqipërisë e të Kosovës, por edhe me organizatat dhe komunitet që veprojnë në Diasporë, e konkretisht Zvicër. Kapacitetet financiare dhe njerëzore besoj se gjenden, dhe besoj se janë të mjaftueshme për t’i vënë në dispozicion, për t’i lënë në lëvizje, por duhet më shumë seriozitet dhe përgjegjshmëri për t’i gjetur dhe identifikuar kanalet e komunikimit e për t’i vënë në lëvizje këta mekanizma.

Gjatë bashkëbisedimit me presidentin e Shqipërisë, z.Bujar NIshani
Gjatë bashkëbisedimit me presidentin e Shqipërisë, z.Bujar NIshani
Si e vlerësoni punën që ka bërë dhe që po bën LAPSH-i në Zvicër dhe në gjithë Diasporën?

Në radhë të parë u shpreh mirënjohjen e madhe për dëshirën dhe vullnetin e angazhimin që ata bëjnë. Është një angazhim i cili buron në radhë të parë nga shpirti dhe vullneti. Në këtë sens kërkohet një koordinim dhe një bashkërendim më i mirë, sepse, në fund të fundit, vullneti tek individët apo te komuniteti, apo shoqatat e organizatat e tilla janë fundament bazik, por pa një ndërthurje të mundësive dhe pa një frymë të mundësive të të gjithë aktorëve, nuk mund të shkojë në ato standarde që kërkohet dhe është e nevojshme nga qytetarët. Nëse themi se ka një grup mësuesish që janë të gatshëm për t’i vënë në dispozicion kapacitetet e tyre intelektuale për ta bërë të mundur transplantimin e këtyre dijeve te brezi i ri, natyrisht ata do të duhej ta kenë një infrastrukturë që i mbështet. Prandaj, qoftë përgatitja e librave, e programeve apo literaturës dhe koordinimi në bashkëpunim me institucionet e shtetit të Zvicrës, është një detyrë dhe detyrim i shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës e institucioneve të tjera që në këtë mënyrë të bëhemi ndihmues. Duke u mos bërë ndihmues në mënyrë indirekte kthehemi në pengues. Prandaj, askush të mos mendojë se nuk jemi pengues, nëse nuk ndihmojmë. Raportet e përgjegjshmërisë janë të ndryshme. Personalisht, përfitoj nga ky rast që ne të vijojmë të mbetemi më shumë debatues e kritikues dhe ngacmues në kuptimin e mirë të fjalës, si një zë që vjen nga opinioni, nga grupimet shoqërore të Diasporës, nga organizatat e adresuara institucioneve të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës, si dhe individëve të cilët kanë mundësi për të qenë pjesë e elaborimit, siç janë mediet dhe shoqëria civile.

Zoti president, interesimi për pasaportën e shtetit shqiptar në Diasporë është shumë i madh. Si qëndron qasja procedurale, apo ka lehtësime në këtë drejtim. Dhe, cili është niveli i kërkesave?

Po, ka një qasje dhe lehtësimet janë bërë. Në vitin 2012 ishte vendimi i Qeverisë për ta lehtësuar procesin. Ka përjashtim për qytetarët e Kosovës, sepse është në procesin e liberalizimit. Dhe, ne duhet të ndihmojmë që Kosova ta përfitojë si shtet liberalizimin e vizave nga BE-ja. Ne assesi nuk mund të krijojmë pengesa artificiale në procesin e komunikimit të Kosovës si shtet me strukturat e BE-së. Sa i përket Diasporës tjetër, është absolutisht e mirëpritur dhe ju garantoj si president i Republikës se do të jetë e nderuar dhe do t’ua afrojë shtetësinë e pasaportën shqiptare të gjithë atyre që do ta dëshirojnë nga Diaspora.

Ka ndonjë strategji nga ikja në kthimin e trurit?

Para se të ketë një strategji, duhet analizuar si një shqetësim. Janë dy aspekte: së pari e kemi gjeneratën e studentëve dhe nuk e shoh si shqetësim. Studentët shqiptarë duhet të shkojnë dhe ne duhet t’i nxitim, sepse duhet të jemi të sinqertë që niveli i sistemit të arsimit të lartë në Evropë është shumë herë më i përparuar se në Shqipëri. Por, ky tru i arsimuar në Evropë të ketë mundësi të kthehet në Shqipëri, apo në Kosovë, ata që shkojnë nga Kosova. Pra, duhet ta kemi këtë strategji. Pjesa tjetër ka të bëjë me elitën intelektuale, e cila e shikon terrenin e përshtatshëm për t’i elaboruar kapacitetet e veta intelektuale, kërkimore e shkencore-studimore, detyrohet të largohet që të gjejë hapësira në vendet tjera. Ky është një shqetësim, sepse ne duhet të kujdesemi që këto kapacitete të kenë mundësi të bëjnë koordinimin me ato evropiane duke qëndruar në institucionet shqiptare.

Duhet të shkojmë pak përtej disa gjërave tradicionale, jo nga identiteti kulturor, por të ambientit ideologjik, të cilin e kemi trashëguar. Pse jo vendi tashmë ta ketë një akademi shkencore dhe kulturore të nivelit kombëtar? Ka mjaft kapacitete akademike në Shqipëri që nuk janë pjesë e Akademisë së Shqipërisë, por edhe në Kosovë dhe Maqedoni, e vende të tjera. Çështja e vënies të funksionimit të kapaciteteve akademike, nëpërmjet një bordi, trupi akademik e shkencor, kulturor e kombëtar, nuk ka pse ta trembë as shqetësojë askënd, por përkundrazi bën të mundur që këto ta gjenerojnë pjesën e kapaciteteve që ka individi në kontekstin e një organizimi më të gjerë dhe më përfaqësues. Kështu, këta mund të vijnë plotësisht në funksionim edhe nëpërmjet aktivitete të përbashkëta me kapacitetet shkencore e akademike që kemi ne në Diasporë, si mjekë, inxhinierë, shkrimtarë, studiues, shkencëtarë, juristë etj., që jetojnë në Diasporë. Jam i bindur që ata janë të gatshëm që një pjesë të kohës së tyre ta afrojnë në kontekstin e një doktrine pozitive në kuptimin e fjalës të elaborimit të kapaciteteve dhe potencialeve intelektuale dhe gjeneruese që kanë shqiptarët.

Zvicra dhe Shqipëria e kanë një bashkëpunim të shëndoshë?

Pa dyshim! Shqipëria me Zvicrën ka marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe ajo është partner i ngushtë për Shqipërinë. Për ne, është vend shumë i afërt dhe miqësor. Zvicra ka qenë veçanërisht në 25 vjet shumë e angazhuar dhe e përkushtuar për ta ndihmuar dhe asistuar në tërësi demokracinë shqiptare. Mund të përmend, për shembull, që nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim, kontributet e rëndësishme janë bërë në konceptimin e decentralizimit të pushtetit lokal dhe rritjes së kapaciteteve të administratës lokale. Janë mjaft projekte të rëndësishme në Shqipëri të zhvilluara dhe mbështetura nga Zvicra, të cilat e kanë përmirësuar mjaft rritjen e nivelit të kapacitetit të administratës lokale, të pushtetit lokal, por njëkohësisht edhe për ta futur konceptimin e decentralizimit, që do të thotë ofrimi i shërbimeve të cilësisë më të mirë të asaj evropiane te qytetari shqiptar dhe dërgimi i kësaj ndihme gjithmonë e më pranë qytetarit shqiptar.

Besoj se kemi ende shumë hapësira të pazëna e të papërdorura në rritjen e këtij bashkëpunimi, qoftë në aspektin politik, por më së shumti në atë ekonomik. Shqipëria mund të përfitojë shumë nga fusha e turizmit zviceran, duke e ditur përvojën dhe eksperiencën që kanë zviceranët, por, në anën tjetër, mund të kthehet edhe si një destinacion turistik për qytetarët zviceranë. Kam parasysh faktin se qytetarët zviceranë e pëlqejnë shumë natyrën dhe hapitatin malor, e Shqipëria e ofron këtë mundësi. Njëkohësisht, Shqipëria e ka një trashëgimi kulturore shumë të pasur që nga koha e bizantit, romake dhe otomane. Por, Shqipëria ka gjithashtu resurse interesante të zhvillimit, jo vetëm në interes reciprok të një bashkëpunimi, edhe aty ku Zvicra ka eksperienca të mira, si ajo e energjisë, e bujqësisë dhe blegtorisë. Prandaj, unë besoj se ky grup i shqiptarëve të kyçur në aktivitetin politik duhet të jetë i pranishëm në Shqipëri për ta parë një realitet më konkretisht dhe më njëkohësisht për të elaboruar më pastaj nëpërmjet bashkëpunimit me autoritet shqiptare, qoftë ato qendrore, apo lokale, për ta orientuar këtë bashkëpunim më të ngushtë me konfederatën zvicerane, në kantonet e Zvicrës dhe me botën e biznesit. I vlerësoj shumë angazhimet e tyre, në radhë të parë të vendit ku ata jetojnë. Jam i bindur se ata janë pjesë e një kontributi të rëndësishëm shoqëror në kantonet e vendet ku jetojnë, por njëkohësisht ne duhet të koordinojmë më shumë, në mënyrë që ata, duke reflektuar në një farë mënyre, përveç mentalitetit të shoqërisë zvicerane, ku janë rritur dhe ku jetojnë. Jam i bindur se për shkak të origjinës, është shumë herë më e mundur që ta kuptojnë realitetin në Shqipëri e në trevat tjera shqiptare dhe mund të shërbejnë që t’i sjellin këto mundësi në një rrugë bashkëpunimi më konkret, më të shpejtë dhe më të arritshëm.

Po shkojnë Shqipëria dhe shqiptarët vendosmërisht drejt Bashkimit Evropian – krijohet një përshtypje në këtë drejtim se Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë po ecin shumë ngadalë?

Jam dakord plotësisht me ju dhe e kuptoj këtë edhe si shqetësim. Shpejtësia me të cilën po ecim nuk është ajo që kanë potencialisht, e mbi të gjitha që e meritojnë dhe që e kanë si detyrë e obligim shqiptarët. Kjo është një përgjegjësi e të gjithë aktorëve të shoqërisë, por në rend të parë është politikës. E them këtë, sepse politika është destinacioni i fundit i vendimmarrjes. Proceset ecin dhe i lënë të ecin pasi të kenë një vendimmarrje të caktuar. Politika duhet të fillojë ta kuptojë se sot realiteti është i tillë që nuk ka ngjashmëri me realitetin jo më të 20 apo 30 vjetëve të shkuara, por as të 50-ve. E pak më lart, kur po flisnim për stadin aktual të shqiptarëve, sollëm një sërë provash dhe faktesh se ku janë shqiptarët, në çfarë realiteti jetojmë sot. Se ky stad ku kemi mbërritur përkthehet në realitet, i cili gjeneron kulturën, stil jetese të ndryshme, por edhe ambicie të ndryshme për të ecur përpara, ashtu siç është detyrë e çdo individi, por edhe shoqërisë civile, medieve, intelektualëve, biznesit, për të gjeneruar ide, për t’i përplasur vizionet dhe këndvështrimet në mënyrë të tillë që shoqëria të orientohet në vlerat më të mira, në alternativat më të mira, atëherë ato të bëhen në njëfarë mënyre detyruese dhe politika t’i kuptojë se ato janë detyruese, që ajo si politikë, pika fundore e vendimmarrjes, të jetë e inkuadruar dhe orientuar në këto mentalitete, këndvështrime dhe objektiva që ka shoqëria. Të gjithë këta aktorë të shoqërisë reflektojnë produktin nga i cili kanë ardhur. Mendoj se ka ardhur koha për të qenë shumë më konkretë dhe më të drejtpërdrejtë. Çdo aktor ta konceptojë pozicionin dhe produktin e tij si shumë të limituar në kohë, sepse askush nuk është i përjetshëm në këtë botë, por edhe në pozicionet që posedon dhe që ofron nëpërmjet kontributit.

Zoti president, do të bashkohen shqiptarët në BE?

Pa diskutim që sipas modelit evropian dhe kjo është e pashmangshme. Të gjitha vendet ku shqiptarët jetojnë në rajon janë të orientuara drejt të modelit evropian, të bashkëjetesës, bashkekzistencës dhe funksionimit. Ky është një destinim i pashmangshëm, aq sa që është destinacion i pashmangshëm Bashkimi Evropian për Shqipërinë e Kosovën dhe gjithë rajonin. Pra, për sa kohë destinacioni tash i pranuar dhe angazhuar është BE-ja, nuk mund të përjashtohen shqiptarët rreth këtij destinacioni, i cili është destinacion që ka vlerën e një familjeje që është e organizuar me vlerat e ndryshme, me kultura të ndryshme, por që i harmonizon ato në mënyrë krejt normale dhe të ndërtuar te njëra-tjetra. Pra, nuk ka askush pse shqetësohet nga konteksti dhe ideja e asaj që do të realizojë ky bashkim – shqiptarët në modelin evropian.

Cilat janë, sipas Jush, sfidat kryesore për Shqipërinë gjatë vitit 2015?

Objektivi strategjik kuptohet që pas anëtarësimit në NATO, është anëtarësimi në BE. Për të qenë të vërtetë edhe në këtë rast, ky është proces që nuk duket se është i shkurtër. Do ta ketë një kohë. Besoj se në një afat prej 10 vjetësh, kjo është plotësisht e mundshme, që Shqipëria do të jetë e gatshme, e përgatitur si shoqëri dhe si shtet edhe institucionalisht për t’iu bashkuar BE-së, por ky 10-vjeçar duhet të jetë me një dinamikë shumë të madhe, mbi të gjitha duhet të jetë e dominuar nga mentaliteti evropian. Nëse ne nuk fillojmë të mendojmë si evropianë, ta adoptojmë brenda vetes tonë mentalitetin evropian, proceset tjera do të zvarriten dhe shtyhen në mënyrë të padrejtë. Kështu që me këtë proces sfidat pastaj janë të shumta, e që do të jenë në radhë të parë me konsolidimin e vlerave të demokracisë. Në gjykimin tim, së pari vlera e demokracisë do të bartë që çdo qytetar është i barabartë, është një potencial dhe duhet respektuar si potencial. Duhet të ketë gjithë hapësirën e mundshme dhe mekanizmi rregullator i shoqërisë do të duhej të jetë i ndërtuar mbi bazën e standardeve se çka e ka çuar sot Evropën e bashkuar në BE me këtë stad të zhvillimit që është sot.

Në anën tjetër, janë sfidat e drejtpërdrejta, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Janë dy imperativ dhe shumë të rëndësishëm. Shteti nuk mund të dorëzohet dhe nuk mund të dështojë kurrë në raport me korrupsionin, e aq më pak me krimin e organizuar. Nuk është vendi për pesimizëm. Shqipëria ka arritje, qoftë në luftën kundër korrupsionit, apo krimit të organizuar. Por, kjo është një betejë, e cila çdo ditë që kalon e kërkon nivelin më të sofistikuar, e kërkon angazhimin më të madh dhe mekanizimin më të përgatitur. Besoj se janë edhe një sërë angazhimesh të tjera, por do të preferoja ta shikoja një strategji të fokusuar te prioritetet. Jo çdo gjë ne do ta kryejmë për një kohë të shkurtër, jo çdo gjë do ta kryejmë brenda një kapaciteti me resurse financiare të caktuara. Pa dyshim që resurset dhe burimet financuese janë ato që janë, por ato duhet drejtuar dhe përdorur në mënyrë më efiçiente. Sa më mirë t’i kemi përcaktuar prioritetet, aq më efiçient do të jemi. Dikush do të thotë me të drejtë se shumë fusha janë me prioritet në Shqipëri, shëndeti, arsimi, infrastruktura… Por, ka prioritete mbi prioritete. Shëndetësia është një fushë e cila lidhet me jetën dhe standardin më të domosdoshëm të njeriut. Besoj se kjo është më prioritare se një fushë tjetër, që kërkon angazhim, por që në hapësirën e kohës ajo mund të ecën e tillë që dinamika mund t’i përshtatet më mirë si prioritet i dytë, apo i tretë. Për sa kohë ne që të vazhdojmë të kemi ende mangësi për t’i disenjuar në mënyrë shumë të drejpërdrejtë e të detajuar prioritetet dhe mënyrën e qasjes te këto prioritete ne do të vazhdojmë të mbetemi të vonuar, e kjo është përgjegjësi.

Zoti president, faleminderit për këtë intervistë! Ju faleminderit shumë për kohën në emrin tonë dhe të stafit.

Ju lutem përcillini përshëndetjet e mia të gjithë shqiptarëve në Zvicër dhe kudo që lexohet revista juaj. Mirupafshim dhe gjithë të mirat! (dialogplus.ch)