Nis faza e dytë në Serinë A

Nis faza e dytë në Serinë A

Nis faza e dytë në Serinë ASerie A nuk ka shumë kohë për llogari pasi fundjava starton xhiron e kthimit. Java e 20-të e kampionatit italian sjell në SuperSport përballje interesante.

Të Shtunën, Interi ka përpara testin ideal me Pescaran për t’i dhënë fund ecurisë negative, ndërsa miqtë synojnë të vazhdojnë ëndrrën e nisur dy javë më parë me një fitore ndaj Catanias dhe e vazhduar me suksesin e papritur 2-0 në Firenze. Ky test do të jetë ndoshta vendimtar edhe për trajnerin Stramaccioni, pozitat e të cilit u lëkundën me humbjen 3-0 në Udine.

Inter vazhdon të mbajë kontaktet me zonën Champions, prandaj suksesi i mundshëm ndaj Pescaras do t’i jepte një dozë të plotë optimizmi ekipit nga Milano.

E diela hap siparin me përballjen e orës 12:30 Torino-Siena dhe kulmon me ndeshjet e orës 15:00 ku Juventusi më i paqartë i sezonit gjen Parman në shëndet të plotë. Bardhezinjtë nuk kanë rrugë tjetër përveç fitores në “Tardini” nëse nuk duan të ndiejnë frymëmarrjen e Lazios e Napolit që në letër kanë ndeshje të lehta, respektivisht ndaj Atalantas e Palermos. “Massimino” i Catanias pret Romën e Zemanit që kerkon të dalë nga momenti negativ pas disfatës së rëndë në Napoli. Sigurisht që toka siciliane nuk do të jetë mikëprirtëse për kryeqytetasit sepse vendasit i gjen kjo përballje me humor të keq pas eliminimit nga Kupa e Italisë.

Java e 20 mbyllet me takimin e mbrëmjes mes Sampdorias e Milanit. Xhenoanët e Delio Rossit kanë ndërtuar një grup të konsoliduar që i dha frytet me suksesin në Torino dhe ky do të jetë një telash më shumë për Allegrin, i cili synon të marrë maksimumin nga kjo sfidë nëse do të ruajë kontaktet me tre skuadrat e para për një vend në Champions League.