Nicolas Sarkozy mbron Kosovën në “Le Monde”!

Nicolas Sarkozy mbron Kosovën në “Le Monde”!

Nicolas Sarkozy mbron Kosovën në “Le Monde”!Në një shkrim të gjatë të botuar sot, gazeta më e madhe franceze “Le Monde” hyn në polemikë me dosjen Ukrainë-Rusi dhe ish-presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy që është sot lideri i opozitës së djathtë.

Për Sarkozyn nuk ka dallim midis Krimesë dhe Kosovës dhe duhen plotësuar dëshirat e prorusëve. “Le Monde” nuk ndan aspak të njëjtin opinion.

Ja artikulli integral i “Le Monde” i përgatitur për gazetën “Shekulli”.

Në krizën ukrainase, Nicolas Sarkozy s’bën veçse ripërsërit retorikën e Kremlinit. Në një fjalim që mbajti të shtunën, 7 shkurt, përpara kuadrove drejtuese të partisë UMP, në opozitë, që ai drejton në lidhje me pasojat që ka konflikti në Ukrainë, në marrëdhëniet midis Evropës dhe Rusisë, Sarkozy tha: “Divorci midis Europës dhe Rusisë është një dramë. Ndoshta këtë e urojnë amerikanet, por kjo është punë e tyre. Neve përkundrazi nuk na hyn aspak në punë rikthimi i Luftës së Ftohtë midis Evropës dhe Rusisë”.

Sarkozy e hodhi këtë tezë në të njëjtin moment kur në Munih diplomacia po merrte pikërisht intonacionet e Luftës së Ftohtë në dosjen ukrainase. Duke u nisur nga ky konstatim, sipas të cilit, përgjegjësia e divorcit midis Perëndimit dhe Rusisë bie tërësisht mbi evropianët, N. Sarkozy parashtroi një zgjidhje bazuar mbi tre parime:

“Krimeja ka zgjedhur vetë Rusinë”

Krimeja zgjodhi vetë Rusinë dhe ne nuk mund t’ia kritikojmë një gjë të tillë, u shpreh kryetari i UMP-së. Por çështja nuk është siç e shtron Sarkozy pasi, asnjëherë nuk ka qenë fjala se çfarë duhet të bënin banorët e Krimesë apo rusët. Fjala ka qenë tek legaliteti i bashkimit të Krimesë me Rusinë që Sarkozysë po i duket si normale.

Është e vërtetë që dhe për shumë liderë perëndimorë, po t’i pyesësh në mënyrë konfidenciale, duket jashtëzakonisht e vështirë që Krimeja t’i rikthehet Ukrainës. Por Sarkozy shkon dhe më larg, pasi flet në të njëjtën mënyrë si Moska zyrtare, duke pretenduar se banorët e Krimesë e bënë zgjedhjen e tyre në mënyrë demokratike dhe legale. Por “zgjedhja demokratike” e Krimesë, të cilës i referohet Sarkozy s’ishte veçse një referendum i 16 marsit, i cili nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare pasi u organizua pa asnjë kontroll ndërkombëtar me përjashtim të pranisë së disa “vëzhguesve”, anëtarë të partive të ekstremeve të djathta evropiane.

Për më tepër që ky referendum që paskësh korrur një “po” në favor të Rusisë me 96,6% të votave, u mbajt pasi pushtimit të gadishullit të Krimesë nga trupa të armatosura jo të identifikuara. Putini vetë do ta pranonte dy muaj më vonë se bëhej fjala për ushtarakë rusë.

Ky argumentim i Nikola Sarkozysë është vërtetë i habitshëm. Ai ishte president i Francës në kohën e luftës midis Gjeorgjisë dhe Rusisë, në gusht 2008, kur Abkhazia dhe Osetia e Jugut shpallën pavarësinë e tyre nga Gjeorgjia. Nëse kjo e drejtë për vetëvendosje e Krimesë është universale atëherë përse zoti Sarkozy nuk veproi në emër të Republikës Franceze për të njohur zyrtarisht pavarësinë e dy provincave që po shkëputeshin nga Gjeorgjia?

Precedenti i Kosovës

Nikola Sarkozy përdori në mbështetje të argumentimit të tij edhe rastin e Kosovës, duke u shprehur kështu: “Nëse Kosova pati të drejtën të bëhej e pavarur nga Serbia, nuk e kuptoj se me të njëjtin argument t’i mohohej e drejta Krimesë të linte Ukrainën për t’ju bashkuar Rusisë”.

Veçse këto dy raste nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Kosova u shkëput nga Serbia pas një konflikti që shkaktoi rreth 10 mijë të vrarë, pas ndërhyrjes së NATO-s dhe pas vendosjes së kësaj ish-krahine serbe nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara më 1999.

Vetëm më 2008, pas nëntë vjet ndarjeje nga Serbia, Kosova shpalli më në fund pavarësinë e saj. Ndërsa Krimeja nuk njohu asnjë persekutim, asnjë formë dhune ndaj rusofolësve, apo mbajtësve të pasaportave të dyfishta ukrainase dhe ruse. Brenda një muaji Krimeja u shkëput.

Një forcë ndërkombëtare për të mbrojtur rusofolësit e Ukrainës

Ja ideja e shprehur nga Sarkozy: “Ukraina ka 42 milionë banorë (po të heqim popullatën e Krimesë shifra është pothuajse kjo). Ndër ta, një treta janë rusofoles…Pra e pakta dhjetë milionë rusofolës dhe kjo nuk është shifër që s’duhet marrë seriozisht.

Prandaj duhet medoemos të veprohet për të vendosur një forcë ndërkombëtare për të mbrojtur rusofolësit e Ukrainës për aq kohë sa situata nuk është qetësuar”.

Kjo deklaratë e Sarkozysë nuk është e drejtë. E para, është delikate që të japësh masën e popullatës rusofolëse në Ukrainë. Sarkozy mbështetet në një regjistrim të popullsisë të kryer më 2001 nga ku rezultonte se, rreth 30% e ukrainasve kane caktuar rusishten si gjuhën mëmë. Por kjo nuk do të thotë se e flasin këtë gjuhë në jetën e përditshme.

Ashtu sikurse dhe personat që kanë deklaruar gjuhën ukrainase si gjuhën mëmë mund të shprehen fare mirë në rusisht në jetën e përditshme. Kjo pasi Ukraina është vend totalisht dygjuhësh: kryeqyteti, Kievi, është shumë rusofolës, ashtu si mjaft zona në qendër bile dhe më në perëndim të Ukrainës.

Aty mund të ndjekësh debate televizive ku të ftuarit flasin të dyja gjuhet dhe kjo nuk besdis dhe as nuk shokon kërkënd në Ukrainë. Bile edhe brenda një familjeje anëtarët mund të flasin dy gjuhë të ndryshme. Po ashtu, zonat me shumicë të madhe rusofolëse të Lindjes dhe të Jugut të Ukrainës siç është rasti i Kharkivit, Dnipropetrovskut apo Odesës, kanë mbajtur, në pjesën më të madhe të tyre, anën e Ukrainës në konfliktin aktual.

Vendimi që mori Kievi në shkurt 2014, por që nuk u vu asnjëherë në zbatim për të hequr rusishten si gjuhë rajonale luajti një farë roli në fillimin e trazirave në Donbas, por ky rol ishte krejtësisht i vogël. Duke përmendur nevojën e mbrojtjes së rusofolësve, zoti Sarkozy rimerr fjalë për fjalë retorikën e Kremlinit. Të shtunën, 7 shkurt, Sergei Lavrov, ministri rus i punëve të jashtme foli për shfarosjen e rusëve dhe të çifutëve që po ndodh, sipas tij, në Ukrainë.

Ukraina të lihet jashtë NATO-s dhe BE-së

Sipas Nikola Sarkozysë “Ukraina duhet të ruajë pozicionin e saj si urë lidhëse midis Europës dhe Rusisë, prandaj Ukraina nuk duhet të ketë perspektivë të hyje as në BE e as në NATO. Lideri i UMP-së është në këtë pikë thuajse dakord me presidentin Fransua Holande që ka afirmuar disa herë kundërshtimin e tij ndaj hyrjes së Kievit në Aleancën Atlantike. Por këto deklarata duket se kanë qenë pa efekt pasi nuk e kanë zbutur Vladimir Putinin. Duhet po ashtu nënvizuar se në pranverën 2008, gjatë samitit të NATO-s në Bukuresht, Nikola Sarkozy, asokohe president, ishte angazhuar që Ukraina dhe Gjeorgjia të hyjnë një ditë në Aleancën Atlantike. Sa për hyrjen në BE, ky mbetet një horizont i largët për Kievin. Për momentin Ukraina ka nënshkruar vetëm një marrëveshje asociimi dhe tregtie të lirë me Brukselin. Por kjo zgjedhje strategjike proeuropiane e Ukrainës dhe refuzimi i një bashkimi Euro-Azi shpjegon pjesërisht zemërimin e Kremlinit dhe refuzimin e kompromiseve në negociata”.