Portieret_567912

Neuer Nr. 1

Portierët luajnë rol të rëndësishëm për ekipin. Gabimet e tyre mund t’i kushtojnë tërë skuadrës, kurse pritjet e tyre mund të jenë vendimtare në fitore. Këtë vit, skuadrat si Schalke, Bayern, Real Madrid e Manchester City, Lyon e Zenit, u ndien të sigurta. Për t’i bërë këto ekipe që të ndihen ashtu, u përkujdesën Neuer, Casillas, Hart, Lloris e Malafeev, të cilët konsiderohen si portierët më të mirë të vitit.

Me vitin 2011 që po shkon drejt fundit, uebfaqja ESPNSTAR.com e ka analizuar paraqitjen e portierëve gjatë 12 muajve, dhe si rezultat i kësaj e ka publikuar listën e 5 portierëve më të mirë të vitit. Kësaj liste i prin portieri gjerman, Manuel Neuer. Viti që po shkon e zbuloi 25-vjeçarin si një protagonist të vërtetë.

Ai kishte ‘shpërthyer’ në Botërorin 2010, për të vazhduar më pas me paraqitje brilante me Schalken, duke arritur deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Paraqitjet me ekipin bardhekaltër bënë që gjiganti Bayern Munich të lëvizë, duke shpenzuar 22 milionë euro për të.

Dhe, nga vera, ai u bë Bavarez. Në Bayern ai nuk pësoi gol për më shumë se 10 ndeshje, duke i thyer rekordet e mëparshme në futbollin gjerman, ndërsa e ndihmoi ekipin nga Munichu që ta përfundojë vitin në pozitën e parë në Bundesliga.

Pozita e dytë i takon portierit spanjoll, Iker Casillas. Veterani i portës vazhdoi me avazin e vjetër, duke u konfirmuar me pritjet e tij si njëri prej portierëve më të mirë në botë në 10 vjetët e fundit. Eksperienca e Casillasit e bën të veten.

Ekipi madrilen ndihet më i sigurt, kur e ka në portë një njeri si Ikeri. Edhe pse nuk fitoi trofe të rëndësishëm, Casillas nuk ka faj pse Reali e ka një kundërshtar të fortë si Barcelona. Ai këtë vit e ndihmoi ekipin ‘Los Blancos’ që ta fitonte trofeun Copa del Rey, pikërisht ndaj rivalit të përbetuar, Barça.

Një tjetër portier që doli në pah këtë vit ishte anglezi Joe Hart. Është e pakontestueshme që Manchester City po dominon në futbollin anglez dhe për këtë merita pa dyshim ka përfaqësuesi anglez.

‘Citizens’ e kishin blerë atë në vitin 2006 për vetëm dy milionë euro, ndërsa tashmë vlera e tij është rritur ndoshta 10 fish. Vetëm këtë muaj, Hart shfaqi shkathtësitë e jashtëzakonshme, duke bërë pritje heroike në barazimin 1:1 me Liverpoolin dhe në fitoren 1:0 ndaj Arsenalit.

I katërti në listë është portieri francez, Hugo Lloris. Olympique Lyoni kishte fituar shtatë tituj rresht, në mes të periudhës 2001-2008, ndërsa në tre sezonet e fundit ka mbetur duarthatë. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se Lloris ka dështuar. Madje, ai e ndihmoi ekipin e tij që ta ketë mbrojtjen e tretë më të mirë në ligën franceze. 24 vjeçari shkëlqeu po ashtu edhe me Francën, të cilën e ndihmoi të kualifikohej në Euro 2012.

Dhe, pozita e pestë dhe e fundit është rezervuar për portierin rus, Vyacheslav Malafeev. Viti 2011 filloi në mënyrë tragjike për të, kur bashkëshortja e tij kishte vdekur pas një aksidenti me veturë. Mirëpo, Malafeev shfaqi rezistencë, përkundër këtij rasti, duke e ndihmuar Zenitin, i cili është lider në futbollin rus, dy pikë përpara CSKA Moskës.

Pritjet e tij bravuroze e ndihmuan Zenitin që të kualifikohet në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve, duke përfunduar në pozitën e dytë, prapa Portos.

(Zenit St Petersburg, Rusia)

Gjithashtu, ai e ndihmoi edhe përfaqësuesen ruse, që të kualifikohet në Euro 2012. Malafeev e shfrytëzoi për mrekulli lëndimin e portierit të CSKA-së, talentin Igor Akinfeev, për të shkëlqyer në kualifikime. Ai pati disa pritje për duartrokitje dhe sot e shijon kualifikimin në evenimentin që mbahet vitin e ardhshëm tek komshiu, Ukraina dhe Polonia.

Portierët e vitit

Manuel Neuer (Schalke e Bayern Munich, Gjermani)

Iker Casillas (Real Madrid, Spanjë)

Joe Hart (Man City, Angli)

Hugo Lloris (Lyon, Francë)

Vyacheslav Malafeev (Zenit St. Petersburg, Rusi)