Nesër protesta kundër Ligjit për amnisti

Nesër protesta kundër Ligjit për amnisti

Nesër protesta kundër Ligjit për amnistiPas një rezistence qytetare në opinionin publik e cila rezultoi me një kundërshtim të 21 deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj tentativës së parë për amnistimin e krimeve të politikanëve, Projektligji për Amnistinë, me disa ndryshime sipërfaqësore me shpejtësi u rikthye në Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Amnistimi (falja) e krimeve për të cilat akuzohen shumë politikanë dhe familjarë të tyre është paraparë edhe me projektligjin e ri. Për të mos mjaftuar vetëm kjo, shkelja e procedurave siç është kryerja e dy leximeve në një seancë, që në fakt është synimi më i paprecedent në praktikën e institucioneve tona, janë tregues dhe vërtetues të kriminalitetit të projektligjit i cili po propozohet.

Që nga data 6 korrik 2013, shoqëria kosovare ka pasur një zgjim qytetar si asnjëherë më parë. Organizatat joqeveritare, i kanë nisur dy letra ambasadorëve dhe faktorëve tjerë ndërkombëtarë për të kërkuar mosndërhyrjen e tyre dhe për ta lejuar debatin e nevojshëm për një ligj të tillë si dhe kanë shprehur shqetësimin për përmbajtjen e ligjit i cili i amniston politikanët e korruptuar.

Gjithashtu, me iniciativë të organizatave të shoqërisë civile, po nënshkruhet peticioni për ndryshimin e këtij ligji të cilin qytetarët po e nënshkruajnë me vullnet të madh. Ftohen ata që nuk e kanë bërë një gjë të tillë t’i bashkëngjiten kësaj iniciative e cila do ta legjitimonte rezistencën dhe do ta ndihmonte kthimin dhe ndryshimin e projektligjit në bazë të kërkesave dhe interesave të qytetarëve.

Në anën tjetër, një numër i qytetarëve po vazhdon të qëndrojë te Kuvendi i Kosovës natë e ditë, që nga data 6 korrik 2013 me qëllim të sensibilizimit të publikut për dëmin që mund të shkaktojë aprovimi i projektligjit.

Ne, në cilësinë e bashkëqytetarëve, ju ftojmë juve, shtetasve të Republikës së Kosovës, të bashkohemi në protestën e nesërme, më 11 korrik 2013, e enjte, duke filluar nga ora 11:00 te Kuvendi i Kosovës. Përderisa protesta do të filloj në ora 11;00, të gjithë bashkëqytetarët ftohen që në shenjë solidarizimi t’i bashkëngjiten edhe më herët atyre që para Kuvendit të Republikës së Kosovës po qëndrojnë me netë të tëra.

Ne jemi kundër krimit dhe korrupsionit, por ne duhet ta themi me zë të lartë këtë.

Organizatorë të protestës, sipas kumtesës që ka arritur në redaksinë e Koha.net, janë qytetarët e Republikës së Kosovës me vendimet që kanë marrë nga tubimet dhe diskutimet me bashkëqytetar tjerë.