Në zgjedhje me fletëvotime pa logo?

Në zgjedhje me fletëvotime pa logo?

Në zgjedhje me fletëvotime pa logo?Fletëvotimet për zgjedhjet e 3 nëntorit me gjasë nuk do të përmbajnë logon e Republikës së Kosovës. Të paktën kështu ka lënë të nënkuptohet kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen Qeverisë, raporton ktv. 

“Fletëvotimet nuk do të duartrokiten nga shumëkush, por me rëndësi është se ato do të jenë të ligjshme”, citon KTV-ja të ketë thënë kryeministri Thaçi.

Ai edhe një herë ka përsëritur se më e rëndësishme është që zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të zhvillohen në mbarë territorin e vendit.

Diskutimi për logot në fletëvotime është përcjellë me akuza kryesisht nga opozita, që janë shprehur kundër heqjes së tyre, ndërsa gjatë takimit të 15-të në Bruksel, kryeministri Thaçi deklaroi se logot janë përgjegjësi e Komisionit Qendror Zgjedhor.

“Qeveria e Kosovës do ta mbështesë plotësisht KQZ-në në vendimet që do të marrë në të ardhmen. Zgjedhjet do të organizohen me dokumente zgjedhore dhe duhet të jenë në kuadër të Kushtetutës sonë, dhe të jenë atraktive për të gjithë. Të jenë atraktive dhe të pranueshme edhe për serbët në veri.

Ndoshta nuk do të jenë shumë atraktive dhe të duartrokitura politikisht, por do të jenë të pranueshme për të gjithë. Të mendojmë të gjithë për rëndësinë historike të organizimit të zgjedhjeve në gjithë territorin dhe pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve” vlerësoi kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjn sotshme të Qeverisë.

“Është jashtëzakonisht me rëndësi që të vazhdojmë me përkushtimet tona për organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, demokratike dhe me një pjesëmarrje sa më masive. Këto do të jenë zgjedhjet e para të lira, që do të organizohen në tërë territorin e Kosovës, ku do të marrin pjesë të gjitha komunitetet.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të respektojë në plotëni Marrëveshjen e 19 prillit për organizimin e zgjedhjeve edhe në veri. Prandaj, do të çmohet çdo angazhim për pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve të vendit në këto zgjedhje, në veçanti edhe të komunitetit serb në veri” ka thënë kryeministri Thaçi sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës
Duke informuar kabinetin qeveritar për takimin e fundit me homologun e tij serb, kryeministri Thaçi u shpreh  se ai ishte i fokusuar në përmbylljen e dy çështjeve jashtëzakonisht të rëndësishme, atë të energjisë dhe telekomit.

“Mund të konfirmoj se jemi shumë afër zgjidhjes së këtyre dy çështjeve, dhe kjo marrëveshje pritet të arrihet në takimin e ardhshëm. Marrëveshja do të jetë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka shtuar se “kanë mbetur edhe disa detaje të sqarohen. Shpresoj dhe besoj se deri më datën tetë shtator do të mund të përmbyllim edhe këto dy çështje jashtëzakonisht të rëndësishme”.

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar edhe përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve lokale që do të zhvillohen me 3 nëntor.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar Rregulloren mbi  procedurat për mbi emetimin dhe menaxhimin e borxheve shtetërore, garancive shtetërore dhe borxheve komunale.

Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për ndryshimin e vendimit për regjimin e hyrjes, qëndrimit, transitit dhe largimit të shtetasve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës. Shtetasve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të Zonës Shengen, ju lejohet hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 90 (nëntëdhjetë) ditë, si dhe largimi nga territori i Republikës së Kosovës me letërnjoftim biometrik.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë për bartjen dhe kalimin e kompetencave të EULEX-it në institucionet e Kosovës si dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve, që lidhen me kompetencat e EULEX-it./koha/