hunda

Në vend të ‘Huda Beauty’: Pesë artistë grimi që janë vërtetë artistë (Foto, Video)

Një ditë pa grim është një ditë e kaluar fshehur nën kapele dhe syze. Të paktën për Huda Kattan-in, blogeren e grimit me audiencën më të gjerë në Instagram dhe jo vetëm.

Kur vjen puna tek tutorialet, është thjesht e para e industrisë. Kontenti që ajo u ofron ndjekësve të saj është, le të themi, i pamundur në jetën reale. Jo se është turp apo i pakëndshëm, aspak.

Mendoni dikë që shfaqet në klasë, zyrë apo në ambientin e punës kudoqoftë me sy gjigantë vjollce, rozë dhe xixa të argjendta, qerpikë kilometrikë, faqe të kuqe, ndriçim verbues në mollëza dhe buzë të konturuara me katër ngjyra.

Aspak realiste, aspak profesionale dhe aspak komode. Sado bukur të ngjajë në Instagram, sado zili t’i kemi gocat e tutorialeve, këto pamje janë të paarritshme në përditshmëri.

Huda Kattan ndërtoi një mbretëri mbi imazhin e saj të së bukurës dhe për këtë duhet vlerësuar. Është një influencuese e zonja, por kjo s’do të thotë që është më e mira në industri.

Më pranë Hudës në filozofi dhe dizajn është artistja Charlotte Tilbury. Ajo frymëzohet kryesisht nga modelet e viteve ’90. Për të, modelet e asaj kohe e përqafonin tërësisht glamurin dhe çfarëdo që të bënin ndiheshin të bukura, të fuqishme dhe seksi.

Në videot që ajo poston në Instagram bien në sy pamjet e arta, me shkëlqim të ëmbël, femërore dhe me konturim të arrirë që duket sikur s’është fare aty.

Charlotte realizoi edhe grimin e Amal Clooney-t për Festivalin e Filmit në Venecia. Shikimi klasik me sy të errët dhe buzë të ndezura ngjante më tepër i personalizuar për Amal-in sesa një riprodhim i diçkaje bërë mijëra herë.

Peter Philips, grimeri belg, është momentalisht drejtori i imazhit për Dior makuep. Ai ka punuar për brende të tjera të rëndësishme si Chanel, Fendi dhe Dries Vana Noten. Filimisht, kur sapo ishte diplomuar, ra në sy falë talentit të tij të pastër në një nga fotosesionet e Raf Simons. Nga aty, karriera e tij vetëm u ngjit.

Krijimet e tij njihen për vendosjen e materialeve të pazakonta si pupla, perla apo edhe pëlhura. Në imazhet e këtij viti, Philips kishte qëllim lëkurën e pacen, që duket sa më natyrale dhe shoqërohet me dizajnime intriguese në sy.

Shpeshherë, ai punon me modele që nuk kanë trajta konvencionale syri apo vetulle të ngritur për t’i bërë krijimet e tij më gjithëpërfshirëse ndaj audiencës.

Violette drejtoresha botërore e bukurisë së Estée Lauder mund të jetë emri më i panjohur në këtë listë. Sidoqoftë, talenti i saj është i padiskutueshëm. Violette nuk beson në trende. Ajo mendon se grimi duhet t’i përshtatet fytyrës së çdokujt, tiparit më të mirë. Filozofia e saj konsiston në “bukuria është sjellje” dhe do që gratë t’i gëzohen feminilitetit të tyre dhe ta trajtojnë grimin si argëtim.

Përveç tutorialeve të grimit, Violette poston më së shumti foto frymëzuese me ngjyra, tekstura, kombinime dhe trupëzimin e bukurisë parisiane.

Ajo po punon për të gjetur të kuqen perfekte dhe i “vjedh” idetë e saj nga trëndafilat, arti modern, dritat neon dhe natyra rrotull saj.

Pat McGrath, artistja pas brendeve si Prada, Miu Miu, Comme des Garçons dhe Dolce & Gabbana, është autodidakte. Ajo është e njohur për përdorimin e duarve dhe gishtave në vend të furçave dhe mjeteve të tjera.

Pat frymëzohet nga pëlhurat, fytyrat e modeleve mbi të cilat punon dhe nuk bën kurrë të njëjtën gjë dy herë. Ajo është unike, aventuriere dhe inovative. Ka përdorur pupla, ornamente, gjethe të arta.

Frymëzimi i saj më i madh ishte Naomi Campbell. Për të, Naomi është e papërsëritshme dhe se e ka frymëzuar në mënyra që s’ia merrte mendja se ishin të mundura.

Diane Kendal është momentalisht konsultante dhe artiste grimi për Marc Jacobs, si dhe ka krijuar linja produkti për Calvin Klein Cosmetics. Njohja e saj me grimin ndodhi në moshë të hershme, kur ishte vetëm pesë ose gjashtë vjeçe.

Përveç grimeve pa grim, Kendal është dora pas penelit të theksuar në shumë prej sfilatave të javëve të modës. Ka punuar mbi dukjet grafike, vetulla gjigante të stërgjata, si dhe grimin e Kim Kardashian për sesionin ku dukej si Jackie Kennedy.