Në valixhen e udhëtimit i kapen 95 gjarpinj të gjallë
Një burrë nga Malajzia pranoi fajësinë se kishte tentuar të kontrabandonte kafshë pasi që në valixhen e tij të udhëtimit janë gjetur 95 gjarpinj të gjallë në aeroportin ndërkombëtarë të Kuala Lumpurit, njoftuan zyrtarët e Malajzisë të premten.
Keng Liang Anson, i cili edhe më herët ishte dënuar për trafikimin e kafshëve të egra në SHBA, të mërkurën është akuzuar për transportimin ilegal të gjarpinjve boa, tha Shamsuddin Osman, nga sektori malajzian për kafshët e egra.
Dënimi i paraparë për këtë lloj shkeljeje është deri në shtatë vjet burg dhe dënim me para, tha Shamsuddin, përcjellë “Associated Press”.
Anson është arrestuar më 26 gusht pasi që policia në valixhen e tij zbuloi 95 boa, disa lloje tjera të gjarpinjve dhe një breshkë. Anson po udhëtonte nga shteti Penang i Malajzisë për në Xhakarta.
Para disa dekadash Anson ishte dënuar me gjashtë vjet burg në SHBA për organizimin e grupit i cili kishte kapur dhe shitur më shumë se 300 zvarranikë të mbrojtur nga Azia dhe Afrika në periudhën prej vitit 1996 deri më 1998. Atëbotë ai ishte arrestuar në Meksikë. Nuk dihet nëse ka vuajtur dënimin.