Në samitin e Dubrovnikut pjesëmarres edhe Hashim Thaçi

Në samitin e Dubrovnikut pjesëmarres edhe Hashim Thaçi

Me datën 9 dhe 10 korrik në Dubrovnik do të mbahet samit i pestë i Kroacisë. Në këtë samit do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili është ftuar nga kryeministrja kroate Jadranka Kosor.

Ndërkaq, ashtu si në samitin e Berdos i cili ishte organizuar nga Sllovenia, presidenti i Serbisë Boris Tadic ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë as në samitin e Dubrovnikut për shkak të pjesëmarrjes së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. Njoftimi bëhet i ditur nga gazeta kroate ”Jutarnji list”.

Bëhet e ditur që në samitin e pestë kroat në Dubrovnik, kryeministrja e Kroacisë ka ftuar edhe shumë homologë të saj nga vende të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Mes të ftuarve do të jenë edhe kryeministri italian Silvio Berluskoni, kryeministri francez Fransoa Filon, kryeministri polak Donald Tusk, kryeministri bullgar Bojko Borisov, ndërsa do të jenë të pranishëm edhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit, ai i Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Ndryshe, samiti i Dubrovnikut do të shqyrtojë çështje politike që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik dhe atë të sigurisë në Evropën juglindore, si dhe çështje të politikës globale dhe mënyrave për të dalë nga recesioni ekonomik.

Ndërkohë, kanë qarkulluar edhe zëra se në samitin e Dubrovnikut mund të vijë edhe kryeministri rus Vladimir Putin, por sipas një gazete kroate, ai ka njoftuar se nuk do të ketë mundësi të jetë pjesëmarrës i samitit të Dubrovnikut.