Në riprovim kaluan 66.7% e maturantëve
Në afatin e gushtit testin e maturës në Kosovë e dhanë 66.7 për qind e nxënësve. Komisioni Qendror, Shtetëror i Maturës (KQSHM), bëri të ditur se në afatin e gushtit dijen e tyre e kanë sprovuar 11.026 nxënës, kurse prej tyre provimin e kaluan 7359 ose 66.7 për qind, ndërsa nuk patën sukses 3.667 nxënës ose 33.3 për qind.
Numri i nxënësve të cilët kanë vijuar mësimet në gjuhën shqipe dhe që kanë hyrë në këtë provim në afatin e gushtit është 10.826 nxënës, prej tyre kaluan 7.253 ose shprehur në përqindje 66.7 për qind.
Nxënës të cilët kanë ndjekin mësimet në gjuhën turke dhe që janë testuar në provimin e maturës në gusht janë gjithsejtë 77, prej tyre kaluan 38 nxënës ose 49.35 për qind, ndërsa nuk patën sukses 39 nxënës e që shprehur në përqindje janë 50.65 për qind.
Kurse numri i nxënësve të cilët ndjekin mësimet në gjuhën boshnjake dhe që u sprovuan në provimin e maturës në afatin e gushtit 2010 janë 123 nxënës dhe nga ta 68 e kanë kaluar testin ose 55.29 për qind, e nuk patën sukses 55 nxënës ose 44.71 për qind.
KQSHM-ja ka njoftuar edhe për numrin e përgjithshëm të të gjithë nxënësve të cilët u testuan në Maturën Shtetërore në afatin e qershorit dhe të gushtit 2010. Sipas rezultatit përfundimtar, sivjet në të dy afatet kanë hyrë në provim 28.141 nxënës, kurse provimin e kaluan 24.474 nxënës ose shprehur në përqindje 86.96 për qind, dhe nuk kanë pasur sukses 3.667 nxënës ose 13.04 për qind e tyre.
Po ashtu, në afatin e gushtit kanë hyrë në provim edhe nxënësit të cilët për shkaqe të ndryshme nuk kanë marrë pjesë në afatin e qershorit, si dhe ata të cilët nuk kanë arritur që në qershor të kenë sukses në riprovim në lëndët ku kanë treguar sukses të dobët gjatë vitit shkollor.
Sipas informacioneve të KQSHM-së, për nxënësit të cilët janë të pakënaqur me rezultate dhe konsiderojnë që kanë arritur sukses më të lartë. koha e ankesave është nga data 8 deri më 10 shtator, ndërsa rezultati i ankesave publikohet më 13 shtator të këtij viti.