174190946lajmetari174190946

Në pikat kufitare pa simbole të shtetit të Kosovës

Shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanovic, ka deklaruara se është gjetur një marrëveshje e përkohshme dhe i ka ftuar serbët që të largojnë barrikadat.

“Marrëveshja nuk është ideale, kemi biseduar në rrethana të këqija, reagimi ynë e ka penguar kryeministrin e Kosovës, Thaçi, që ta realizojë në vepër atë që e ka menduar”, ka thënë Stefanovic.

Ai ka sqaruar se automjetet deri në 3.5 tonelata do të mund të kalojnë lirshëm, ndërsa automjetet mbi këtë peshë do të duhet të posedojnë certifikatë përkatëse nga Kryqi i Kuq.

Sipas tij, marrëveshja rreth pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinë parasheh që atje të mos ketë doganierë shqiptarë, as forca speciale ROSU dhe as simbole të shtetit të Kosovës.

“Në vendkalimin Bërnjak do të ketë policë të Policisë së Kosovës nga Zubin Potoku, 28 serbë dhe tre shqiptarë”, ka theksuar Stefanovic duke shtuar se nuk ka Doganë të Kosovës në këtë pikë kalimi, ndërsa ka sqaruar se marrëveshja është valide deri më 15 shtator.

Stefanovic ka vlerësuar se kjo marrëveshje ka të meta, mirëpo siguron paqe, dhe i ka ftuar serbët e grumbulluar që ta respektojnë atë.

“Marrëveshjen që e kemi arritur e ka mbështetur qeveria e Serbisë dhe presidenti i Republikës, Boris Tadic. Me rrugë paqësore mund të mbrojmë interesat legjitime”, ka deklaruar i ashtuquajturi ministër për Kosovën, Goran Bogdanovic, i cili po ashtu i ka ftuar serbët që ta mbështesin marrëveshjen.