Ndriçim Ademaj përfaqëson Kosovën në Francë

Ndriçim Ademaj përfaqëson Kosovën në Francë

Ndriçim Ademaj përfaqëson Kosovën në FrancëPoeti i ri Ndriçim Ademaj do të përfaqësojë Kosovën në festivalin “Zërat e mesdheut”, (Voix de la méditerranée), i cili mbahet në Lodevë të Francës, aty ku vitin e kaluar ndërroi jetë Ali Podrimja. Ademaj ka studiuar në Prishtinë, ndërsa tani jeton në Gjenevë të Zvicrës.

“Këto kohë jam duke lexuar më shumë se kurrë, kështu në njëfarë mënyre po e kompensoj mungesën e kohës për të lexuar gjatë tri vite studimesh në Prishtinë.

Njohja me gjuhën frënge më ka hapur edhe një derë tjetër në këtë drejtim. Leximin e gjenive të letërsisë si Baudelaire, Molière, Prévert, Apollinaire e shumë të tjerëve në gjuhën e tyre”, është shprehur Ademaj. Ai është një tip i poetit që reflekton ndërmjet realitetit e absurdit. Inspirimin për të shkruar poezi, e gjen në krejt rrugët ku ec. “Në të gjithë njerëzit që shoh. Në skutat e mia që po i njoh ditë për ditë e që herë pas here ma përplasin ndonjë shuplakë frymëzimi mbas qafe. Mes realitetit dhe absurdit, unë jam bash në mes. Do të ndihesha cullak pa njërin a tjetrin”, ka deklaruar Ademaj. Poeti i ri është krahasuar me Lasgush Poradecin e Migjenin. Për këtë thotë se është i nderuar, por edhe i mërzitur.

“I nderuar, sepse Lasgushi për mua ka qenë dhe mbetet një estet i jashtëzakonshëm i poezisë shqipe. Migjeni në anën tjetër është vetë mrekullia e thjeshtësisë dhe mjeshtër i gegnishtes, ndonëse as këta të dy nuk mund të krahasohen mes veti. Mërzitem kur më krahasojnë sepse bota nuk habitet dy herë me të njëjtën gjë, me të njëjtën fjalë. Nëse poezia ime nuk është ‘herë e parë’, nuk ia vlen të shkruhet”, ka theksuar Ademaj. Nga këndvështrimi i tij, gjuha shqipe është poetike, derisa shprehet se ka nevojë që poetët e rinj të filtrohen nga lexuesit.

“Çdo ditë e më tepër po e shoh se sa poetike është gjuha shqipe. Lexoj herë pas here vargje të mrekullueshme nga poetë ‘të çmendur’ që dinë të shkruajnë, bile nga ata që s’ua dimë ende as emrat. Mbase duhet të kalojë një kohë që lexuesi ta sitë gjithë këtë hallakamë botimesh dhe të dalin në pah këto pena të jashtëzakonshme, të cilat unë i lexoj sa herë që më bien në sy dhe do ta bëj gjithmonë me shumë qejf”, ka thënë Ademaj.