Ndahet nga jeta Skënder Sallaku

Ndahet nga jeta Skënder Sallaku

Ndahet nga jeta Skënder SallakuNdahet nga jeta në moshën 79 vjeçare një prej ikona të humorit, z. Skënder Sallaku. Një prej ikonave të humorit shqiptar, aktori Sallaku vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë. Skënder Sallaku është njëri nga aktorët tanë më të mirë të humorit, autor skeçesh e parodish, etj.

Është i njohur për interpretimin e tij brilant në estradë dhe cirk.Skënder Sallaku ka lindur me 25 janar të vitit 1935 në Tiranë. Ai ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës fizike ”Vojo Kushi” dhe ka kryer dy vjet specializim në akrobaci dhe humor në Kinë, pranë cirkut të Pekinit.

Ka punuar si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun në cirk duke e ushtruar një profesion sa të vështirë aq edhe të bukur. Ka vazhduar paralelisht edhe në film, humor, dramë, etj.Skënder Sallaku kishte një karrierë artistike gjashtëdhjetëvjeçare në skenë. Përveç çmimit “Artist i Popullit”, ai ka edhe titullin ”Artist i Merituar”, “Mirënjohja e qytetit”, etj.

Edi Rama: Lajm i trishtueshem vdekja e Skënder Sallakut, humoristit popullor që në kohë të zymta bëri të qeshin pleq e fëmijë! Ngushëllime familjes.

Mirela Kumbaro: Njeriu që ikën duke lënë duke na lënë humorin dhe të qeshurat! Lamtumirë Skënder Sallakut – personifikimi i gazit dhe ndjenjës së mirë!

Veli Rada: Bashkëpunëtori i Skënder Sallakut, aktori Veli Rada është shprehur se estrada shqiptare ka humbur kolosin e saj ndërsa bashkëpunëtorët e tij kanë humbur njeriun e tyre të dashur.

Julian Deda: Ndahet nga jeta, nje tjeter profesionist, Skender Sallaku..! Te vjen keq kur perjeton ikjen nga kjo bote te disa njerezve me kontribut te jashtezakonshem per vendin e tyre..! Nja nga keta eshte Skenderi..! Njeri babaxhan dhe artist pa hile..! Sot humori humbi nje nga bijte e tij…! Respekt dhe u prehsh ne paqe Skender Sallaku..!

Sadi Vopsi: Sot, Tirana shënon 94-vjetorin e shpalljes kryeqytet. Por kjo ditë bëhet më e varfër për të gjithë kur mësojmë se ikona e artit kryeqytetas, Skënder Sallaku, nuk do të jetë më fizikisht me ne. Ngushëllime familjes për njeriun e tyre të dashur, i cili i dha Tiranës shembullin më të mirë në aktrim, cirk e më gjerë. Respekte përjetë “Artistit të Popullit” që i dha shumë vendit dhe mori pak prej tij.

Tinka Kurti: Një humbje e madhe. Unë isha dje në spital dhe takova familjen. Ai do kryente një operacion tjetër. Isha në merak, i thashë vajzës së tij të më telefononte, të më njoftonte mbi cdo të re. Gjithë natën kam qenë në siklet dhe ndjeva një dhimbje të madhe teksa mësova humbjen e madhe.

Margarita Xhepa: Nuk na ishte shuar ende dhimbja nga humbja e Vace Zelës, tani dhe aktori i shkëlqyer, i dimensioneve të mëdha. Kishte një humor që i buronte natyrshëm. I qëndiste rolet me mimikën e tij shprehëse. Kishte karakteristika të vecanta, zëri i tij karakteristik, shquhej për spontanitetin. Aktor i mençur që e dashuronte artin dhe punonte me thjeshtësi. E takova para një muaji në Librazhd në një event dhe ishte i lumtur. Ai kishte fituar respektin e madh të popullit dhe këtë e shprehte dhe ia shprehnin vazhdimisht.

Gëzim Kruja: E kam pas shok, para 5 muajsh kemi dhënë një shfaqje në Durrës. Artist i madh nuk i vjen më Shqipërisë, dac parodist, dac kloun, akrobat. Duhen romane të flasësh për Skënder Sallakun. Aq i thjeshtë, ndaj populli e deshi se populli do të thjeshtën.

Rezarta Reci: Nisëm një miqësi teksa pija një filxhan caji që zgjati 3 orë. Dëshiroja ti bëja një intervistë dhe kam qeshur pa fund si kurrë në jetën e tij. Aktor i mrekullueshëm dhe vetëm me mimikën që kishte të shkaktonte gaz, por ndërkaq një njeri që përlotej me ngjarje tragjike. Miku im i mirë, takimi i fundit ka qenë një ditë para ditëlindjes së tij. Më 24 Janar, e kisha planifikuar për ditëlindjen e tij ‘Arratinë e Peshkut të Kuq”. Ishte nga ata artistë që ka ikur pa pengje, sepse nuk i ka munguar vlerësimi, kujdesi nga shteti, por dashuria e artdashësve. Do na mungojë të gjithëve.

Muharrem Hoxha: Vit i poshtër, po na ikin artistët. Para dy javësh fola në telefon, dhe i thashë po bën ditëlindjen e nuk jam unë aty. ‘Hë tha s’ka problem se 79 vjec po bëj’. U shpreh ngushëllime familjes, nipërve dhe mbesave. Një aktor kaq popullor, kaq i madh.

Fadil Hasa: Herën e fundit që e takova, ishim në Durrës. Si e mbaj mend. Kur thoshte që do tregoj një gjë, ne e lusnim ta tregonte se e dinim që nuk do e përsëriste më atë histori. Skënderi u ka dhënë bukë popullit kur ishte i uritur, i varfër, ai i ushqeu me humorin e tij. Familja Sallaku humbi një njeri të jashtëzakonshëm. Nuk besoj se ka një brengë besoj, ai i ka marrë stimujt moralë, dhe pension special, ka marrë vazhdimisht respekt dhe është nderuar dhe vlerësuar, por sidomos nga populli. U shkëput një yll tjetër i artit sot.

Sulejman Dibra: Estrada pati humbje të madhe, Njeriu i parë që i dha jetë estradës, humorin me të shëndetshëm dhe populli do e kujtojë për humorin e tij të madh dhe të shëndetshëm. Ai e donte dhe e ruante humorin. I pari njeri që thirrej në gëzime, ishte Skënder Sallaku. E donin njerëzit dhe sa e respektonin dhe kjo sepse kishte zemër të madhe. E njihnin nga të miturit dhe deri tek moshat e mëdha sepse ai bënte humor për të gjithë.

Aurela Gace: Përsëri një humbje tjetër e madhe. Aktori i humorit shqiptar, Artisti i Popullit, Skënder Sallaku është ndarë nga jeta, duke luftuar me sëmundjen e rëndë….shumë i dashur për të gjithë ne…na mbërthente përballë televizorit, na falte të qeshura…dmth na shtonte jetën me humorin e talentin e tij…
Vetëm në një hark kohor kaq të shkurter, u shkëputën 4 Gjeniale te artit Shqiptar. U prehshin ne paqe Laver Bariu, Ibrahim Madhi, Vace Zela e Skënder Sallaku…të ndryshëm nga njëri tjetri e gjeniale në atë që bënin, në atë cfarë i dhuruan këtij populli….ngushëllimet me të sinqerta familjareve dhe adhuruesve të artit të tyre..
Kjo eshte jeta…..na fal kaq shume lumturi, mes njerzve qe I duam, e papritur ata shkeputen nga ne….ngushellime edhe te gjithe familjareve te thjeshte te njerzve te thjeshte e jo te famshem qe kane humbur te dashurit e tyre gjithe keto dite mbushur me aksidente…. dhimbja e ikjes nga jeta eshte e njejte, familjareve u dhemb po njesoj…Zoti I marrte ne duart e tij e qendrofshin mes engjejve.

Lulzim Basha: Ndarja nga jeta e legjendës së humorit tiranas Skënder Sallaku më trishtoi pa mase. Pak jave më pare u takuam në Bashki. Përcillte si gjithmonë po atë humor dhe optimizëm që e shoqëronte emrin dhe praninë e tij prej dekadash. Skënder Sallaku ishte një nga artistët më të dashur për cdo qytetar të këtij vendi pavarësisht moshës. Ngushëllime familjes, miqve dhe artdashësve të tij të shumtë.

Ministria e Integrimit Europian: Skënder Sallaku, një nga ikonat e humorit Shqiptar aq i dashur për të gjithë ne u largua sot nga jeta. Ngushëllime familjarëve!

Sali Berisha: Të dashur miq, me ndarjen nga jeta të humoristit të famshëm Skënder Sallaku, satira dhe humori shqiptar humbën korifeun e interpretimit të tyre, ndërsa kombi ynë humbi një artist të madh të papërsëritshëm, ndër më të dashurit për publikun shqiptar. Ngushëllime familjes Sallaku!