Foto_TXT_Kryesor_Nafta_(2)_765937

Nafta zyrtarisht jocilësor

Gazeta Express është kërcënuar të mërkurën nga naftëtarët, pas publikimit të lajmit se Ministria e Tregtisë ka konstatuar se disa prej kompanive më të mëdha të këtij tregu shesin naftë jocilësore. Lajmi i botuar në Express është konfirmuar zyrtarisht nga kryeshefi i Inspektoratit të Tregut, Ruzhdi Shehu. Në anën tjetër, kompanitë pretendojnë se laboratori Sierra Lab ua ka bërë me hile. E Sierra Lab qëndron prapa analizave të bëra.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka konfirmuar edhe njëherë se të gjitha kompanitë e publikuara një ditë më parë nga gazeta Express kanë shitur karburante në kundërshtim me udhëzimin administrativ për cilësinë e naftës.

Vetë kryeinspektori Ruzhdi Shehu pranon për Express se të gjitha këto kompani, në fazën e parë të testimit, kanë dalë me analiza që kanë qenë në kundërshtim me udhëzimin administrativ të kësaj ministrie, të miratuar në muajin tetor të vitit të kaluar. “Për të gjitha kompanitë e publikuara në gazetë, analizat në fazën e parë të testimit kanë dalë në kundërshtim me udhëzimin administrativ për cilësinë e naftës”, thotë Shehu për Express.

Por, me analizat e bëra kurrqysh nuk janë pajtuar naftëtarët. Madje gjatë tërë ditës në gazetë kanë ardhur edhe kërcënime nga naftëtarët, të cilëve iu është publikuar emri në gazetë.

Krahas kësaj, kompanitë të cilave u është publikuar emri në tekst kundërshtojnë analizat e bëra në laboratorin Sierra Lab, i cili ishte i kontraktuar nga ministria për t’i kryer këto analiza të cilësisë së naftës. Naftëtarët dyshojnë se ky laborator ka bërë dallavere.

Ismet Kabashi, drejtor i kompanisë Agro Kabashi, thotë për gazetën se pas analizave të bëra në laboratorin e kontaktuar nga ministria kanë bërë analiza edhe në laboratorë tjerë. Krejt këtë thotë se e ka bërë pasi ka dyshuar edhe në dallavere të laboratorit Sierra Lab. “Ky laborator ka bërë dallavere e me kon është i lidhur nuk e di arsyet, nashta ka lidhje me ndonjë kompani tjetër që shet derivate e do ta rrëzojë dikë”, thotë Kabashi, duke shtuar se përqindja e sulfurit në derivatet që shet ai është konform udhëzimit.