Musa Ramadanit iu dorëzua Çmimi Kombëtar “Azem Shkreli”

Musa Ramadanit iu dorëzua Çmimi Kombëtar “Azem Shkreli”

Musa Ramadani është një nga personalitetet e shquara të letërsisë shqipe, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shumë zhanre të letërsisë, si në poezi, prozë, dramaturgji, tha sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” për vitin 2011, të cilin ditë më parë juria profesionale ia ka dhënë poetit, prozatorit dhe dramaturgut Musa Ramadani.

Në këtë ceremoni janë dorëzuar edhe Çmimet Vjetore për Letërsi në katër zhanre: prozë, poezi, kritikë dhe përkthim.

Krasniqi falënderoi jurinë për punën profesionale në përzgjedhjen e laureatëve të çmimeve për vitin 2011. Ministri vlerësoi lart edhe krijimtarinë e Eqrem Bashës, të cilit i është dhënë çmimi letrar për veprën më të mirë në prozë, Sali Bashotës, për veprën më të mirë në poezi, Adil Ollurit për veprën më të mirë në kritikë, si dhe Smajl Smakës për veprën më të mirë në përkthim. Ai tha se MKRS ka për obligim të çmojë krijimtarinë e madhe të shkrimtarëve tanë, por në të njëjtën kohë të përkrahë edhe krijuesit e rinj.

Musa Ramadani tha se ndjehet mirë për këtë nder që i është bërë, për më tepër, siç tha ai, ndjehet mirë që janë vlerësuar edhe krijues tjerë, sidomos ata të rinj. Ramadani vlerësoi punën që po bën ministri Krasniqi. “Mendoj se kjo Ministri, veçanërisht ministri aktual dhe i gjithë ekipi i tij janë njerëz që e njohin artin dhe po përpiqen dhe po bëjnë që jo vetëm të shtohet përqindja e buxhetit për kulturë, sport, rini por edhe të gjejnë mënyra që disa fusha ose shumica të ketë një lloj stimulimi edhe moral edhe material”, tha ai.

Dhënia e Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimeve Vjetore për Letërsi është e paraparë me një rregullore që mban po këtë emër, e që është nxjerrë në vitin 2009. Këto çmime kanë edhe vlerë financiare. 5 000 euro është shpërblimi për laureatin e Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore, ndërsa për kategoritë tjera – prozë, poezi, përkthim dhe kritikë shpërblimi është 2 500 euro.