MUP-i kushtëzon integrimin me amnistinë

MUP-i kushtëzon integrimin me amnistinë

MUP-i kushtëzon integrimin me amnistinëBeogradi zyrtar nuk ka arritur t’ia dorëzojë të hënën Prishtinës zyrtare listën e pjesëtarëve të MUP-it serb që duan të integrohen në Policinë e Kosovës, ashtu siç ka qenë e përcaktuar me marrëveshjen e Brukselit.

Pala kosovare dhe ajo serbe, sipas marrëveshjes së 19 prillit, ishin pajtuar që deri më 16 shtator, Serbia ta hartojë listën e serbëve që kanë punuar në MUP e që pas zhbërjes së strukturave paralele mund të integrohen në Policinë e Kosovës.

Tribuna ka mësuar nga burime brenda Qeverisë së Kosovës se Serbisë po i nevojitet kohë shtesë që t’i bindë pjesëtarët e MUP-it të integrohen në Policinë e Kosovës. Po ashtu gazeta ka mësuar nga Policia e Kosovës se pjesëtarët e MUP-it nuk po duan të hyjnë në këtë polici para se të hyjë në fuqi Ligji për Amnisti.

“Ata çështjen e integrimit po e lidhin me Ligjin për Amnisti i cili ende nuk ka hyrë në fuqi në Kosovë për shkak të vonesave që u shkaktuan me rastin e dërgimit të tij në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë të hënën për Tribunën Rashit Çalaj nga Policia e Kosovës, i cili bën pjesë në ekipin e Kosovës në bisedime me Serbinë.