petrit rrahmani. tek.kryesor.MTI_281649_thumb_large

MTI, s’di gjë për investime

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka asnjë informatë se sa janë investimet në Kosovë, prej janarit e deri sot. Kjo përkundër faktit se në kuadër të saj funksionon Agjencia për Promovimin e Investimeve. Këshilltaret e kësaj ministrie rekomandojnë për këtë punë Bankën Qendrore.

Pavarësisht faktit se e ka një Zyrë për investime, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka asnjë informatë rreth investimeve në Kosovë prej janarit e deri sot. Zyra për informim e kësaj ministrie, për gjashtë ditë radhazi, nuk ka qenë në gjendje të ofrojë asnjë të dhënë konkrete se a ka investime në Kosovë për këtë vit.

Madje, në një prononcim për Express, këshilltarja për informim, Dardana Halimi lë të kuptohet se po i presin të dhënat nga Banka Qendrore. “Po i presim shënimet nga Banka Qendrore”, ka thënë Halimi.

E për t’i pritur të dhënat që ofron Banka Qendrore, duhet pritur rrafsh një vit. Ky institucion ka publikuar raportin vjetor 2010 për treguesit ekonomik të vendit më 3 gusht të këtij viti. Aktualisht, të dhënat e këtij publikimi janë të vetmet për investimet dhe që përfshin vetëm vitin 2010.

Sipas Raportit të Bankës Qendrore, Investimet e Huaja Direkte të pranuara në vitin 2010, në Kosovë shënuan rritje prej 8.0 për qind krahasuar me vitin 2009. Vlera e investimeve të huaja në ekonominë e Kosovës, në fund vitit 2010, arriti në 314.6 milionë euro. Ndërsa, investimet e rezidentëve të Kosovës jashtë vendit u zvogëluan, duke shënuar vlerën prej 3.4 milionë euro, krahasuar me 10.5 milionë euro sa ishin në vitin 2009. Vlera neto e IHD-ve në ekonominë e Kosovës në vitin 2010 ishte 311.2 milionë euro krahasuar me 280.9 milionë euro në vitin 2009.