james-berisha-dhe-aeroplani-i-tij

MPJ po punon për vënien e kontakteve me James Berishën

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është duke punuar intensivisht për evidentimin e saktë të vendndodhjes së pilotit shqiptaro-amerikan, James Berisha, i cili nuk i është lajmëruar familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij për më se një javë.

Misionet e Kosovës në Uashington, Bruksel dhe Rijad janë në kontakte të vazhdueshme me Departamentin e amerikan të Shtetit dhe institucionet e BE-së për zbardhjen e fakteve, mirëpo ende nuk janë siguruar informacione të sakta nga Eritrea, vendi i fundit nga ku me datë 15 gusht është lajmëruar piloti Berisha.

Mungesa e marrëdhënieve diplomatike me Eritrenë dhe keqësimi i marrëdhënieve të këtij vendi me shtetet partnere të Kosovës, po e vështirësojnë komunikimin dhe hulumtimin rreth zbardhjes së fatit të pilotit shqiptaro-amerikan.

MPJ është duke punuar me kapacitete të plota në bashkëpunim me diplomatë perëndimorë në zbardhjen e fatit të plotit, që tash e sa kohë është angazhuar fuqishëm në fushatë lobuese për njohjen e Kosovës, i mbështetur financiarisht edhe nga MPJ.

Në kuadër të Misionit “Flying for Kosovo”, James Berisha, të hënën me 15 gusht është lajmëruar për herë të fundit nga Asmara, Eritrea.

Sipas pjesëtarëve të ekipit të tij, plani i Berishës ka qenë që të takohet me zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Eritrea dhe të mërkurën, me datë 17 gusht, të kthehet në Sudan.