Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës

MPJ-ja nuk jep sinjale për njohje nga pesëshja evropiane

Ministria e Punëve të Jashtme e KosovësIshte thënë se pesëshja evropiane që po vazhdon të bllokoj procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ka filluar të zbutet dhe se në një të ardhme të shpejtë do të mund të kishim edhe lëvizjet e para të këtyre shteteve.

Mirëpo këto konstatime nuk po i mbështet Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, zyrtar të së cilës pas insistimit të KosovaPress kanë pranuar se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim.

Ata thonë se për këtë temë nuk kanë se çfarë të thonë më shumë se sa ato që i kanë thënë më herët, ku patën deklaruar se në pranverë të këtij viti do të kishte lëvizje pozitive në drejtim të njohjes së Kosovës nga pesëshja evropiane.

Ndërkohë anëtarja e Komisionit Parlamentar për punë të jashtme nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu- Kodra ka thënë se komisioni që ajo përfaqëson tashmë ka bërë planin e veprimit, në të cilin njëra ndër objektivat kryesore është edhe çështja e lobimit për njohje nga pesë vendet evropiane, e të cilat ende nuk e kanë bërë një hap të tillë.

“Fatmirësisht kemi lëvizje pozitive nga ana e shtetit të Greqisë dhe ne si deputet po presim që së shpejti të kemi në agjendën tonë edhe vizitat parlamentare për të lobuar lidhur me lëvizjen e këtyre pesë shteteve. Mendoj që është një intensitet i mirë dhe i dukshëm puna e ministrit të jashtëm, i cili qysh nga marrja e detyrës ka pasur vizita në rajon, për të kaluar edhe në vizita të tjera lobuese”, ka thënë Deliu-Kodra.

Sipas saj, fluksi i njohjeve të shtetit të Kosovës ka rënë për shkak të bllokadës gjashtë mujore të krijimit të institucioneve.

Mirëpo kjo situatë sipas saj duhet të ndryshoj gjatë këtij viti, dhe pikërisht për këtë, gjatë muaji mars pritet të paraqitet në interpelancë Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.

Në anën tjetër, për opozitën, institucionet nuk janë duke lobuar mjaftë për zhbllokimin e njohjeve nga pesëshja evropiane.

Ilir Deda nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë për KosovaPress se ende në Kuvend nuk është paraqitur një raport nga ana e MPJ-së për atë se çfarë është bërë deri më tani në aspektin e njohjeve.

Ilir Deda thotë se Spanja vazhdon të mbaj një qëndrim të ngurtësuar karshi Kosovës dhe se kjo pesëshe evropiane, sipas Dedës,“ka përgjegjësi të madhe për stabilitetin në Ballkan dhe ky stabilitet mund të përmirësohet ndër të tjera edhe me njohjen e Kosovës”.

Sipas tij, Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor që nuk e ka të qartë rrugën e integrimit.

“Mos të harrojmë që ne jemi vendi i vetëm në Ballkanin perëndimor i cili nuk ka rrugë të qartë të integrimit evropian, për shkak të pesëshe apo për shkak të disa shteteve nga kjo pesëshe, ku gjithmonë merr pjesë një ndër kundërshtuesit më të mëdhenj që është Spanja edhe për shkak të mos marrëveshjeve të brendshme ne nuk mund të mbetemi peng i këtyre mos marrëveshje në rrugëtimin tonë evropian”, deklaroi Deda.

Kosovën vazhdojnë të mos e njohin Spanja, Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Portugalia, mos njohje këto të cilat shtetit të Kosovës po i shkaktojnë probleme me anëtarësimin në mekanizma të ndryshëm evropian. /KP/