Mospajtime në Kuvend mes Krasniqit e Bajramit dhe Halitit e Grabovcit

Mospajtime në Kuvend mes Krasniqit e Bajramit dhe Halitit e Grabovcit

Mospajtime në Kuvend mes Krasniqit e Bajramit dhe Halitit e Grabovcit Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën e nisur javën e kaluar. Në fillim të seancës ka kaluar në parim projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, por më vonë kryetari i Kuvendit ka tërhequr votimin duke njoftuar se meqenëse projektligji ka marrë vetëm me 56 vota nuk mund të kaloj, meqenëse për të kaluar i duhen së paku 61 vota të deputetëve shumicë shqiptare e 13 të atyre të komuniteteve.

Por, më vonë gjatë seancës shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka kërkuar që të votohet përsëri për këtë projektligj, duke thënë madje se “të gjithë e dimë se ai do të kalojë, kështu që kjo mund të bëhet duke votuar përsëri”, transmeton KTV .

Por, kryesuesi Xhavit Haliti nuk e ka miratuar kërkesën e tij, duke thënë se tashmë kjo çështje është e mbyllur sepse kryetari Krasniqi ka tërhequr votimin dhe ai brenda seancës së njëjtë nuk mund të kthehet në votim.

Projektligji i është kthyer Qeverisë, i cili edhe ashtu ka marrë kritika nga disa deputetë individualisht dhe nga Grupi parlamentar i Vetëvendosjes. “Privilegjet dhe të drejtat e komuniteteve vijnë si rezultat i dhunës në veri dhe takimeve në Bruksel, jo se serbët u organizuan dhe kërkuan të drejtat e tyre nga shteti i Kosovës, të cilin nuk e pranojnë”, ka thënë lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti.

Ndërkohë, Arsim Bajrami i PDK-së nuk pranon se do të ketë ndryshime kushtetuese pas kalimit të këtij ligji. “Me këtë ligj do të ndodhë riformatim të këshillit konsultativ për komunitete që është kategori kushtetuese por me këtë ligj nuk implikohen ndryshime kushtetuese”, ka thënë Bajrami. Por, këtë e ka kundërshtuar kryeparlamentari.

“Jo vetëm ky ligj por edhe ligjet tjera prekin ndryshimet kushtetuese, mos t’i mshelim sytë dhe të themi se nuk prekin Kushtetuan”, është kundërpërgjigjur Jakup Krasniqi.

Ndërkohë, me 72 vota për, 2 kundër dhe 2 abstenime, edhe Ligji për tregun e naftës dhe produktet e naftës në Kosovë i është kthyer për ripërpunim Qeverisë së Kosovës.