Morsi nën arrest shtëpiak

Morsi nën arrest shtëpiak

Morsi nën arrest shtëpiakPresidenti i rrëzuar i Egjiptit Morsi ndodhet nën arrest shtëpiak, siç janë edhe shumica e ekipit presidencial.Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësi i “Vëllazërisë Muslimane”, Gehad El-Haddad në një mesazh në Twitter.

“Morsi është arrestuar nga garda presidenciale në selinë e tyre dhe po mbahet larg çdo kontakti me botën. Ata kanë ndërprerë çdo akses të mundshëm të tij me të tjerët, të gjitha telefonatat e tij. Asnjë nuk mund ta takojë atë”, konfirmon zëdhënësi i “Vëllazërisë Muslimane”.

Ushtria e Egjiptit raportohet se po përpiqet të mbledhë masivisht anëtarët e “Vëllazërisë Muslimane”, lëvizjes islamike që ndihmoi Morsi-n të vinte në pushtet 1 vit më parë. El-Haddad konfirmon vetëm arrestimet e kreut të partisë “Liri dhe Drejtësi” dhe zëvendësit të tij, por pranon se numri i “të përndjekurve” është shumë i madh.

Urdhër arreste janë lëshuar për 300 anëtarët e “Vëllazërisë Muslimane”, teksa një operacion për arrestimin e tyre është duke u zhvilluar në orët e para pas rënies së Morsi-t nga pushteti, bën të ditur Al-Ahram, gjatë orëve të para të së enjtes, duke cituar burime të forcave të sigurisë, por të paidentifikuar.

Forcat e sigurisë egjiptiane kanë arrestuar gjithashtu liderin e partisë politike të “Vëllazërisë Muslimane”, Saad el-Katatni, si dhe zëvendësin e tij, Radhad Al-Bayoumi, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve në Egjipt, MENA, gjatë orëve të vona të së mërkurës, sërish bazuar në burime ushtarake.
Kreu i Gjykatës së Lartë Adli Mansour është emëruar si kryetar shteti i përkohëshëm.
Morsi erdhi në pushtet me premtimin se do të luftonte korrupsionin dhe papunësinë, do të pastronte mbeturinat që janë mbledhur në rrugët e Kairos dhe do ta bënte vendin më të sigurtë. Por ai shihet nga shumë egjiptianë si një udhëheqës autokrat dhe jo-demokratik, gjë që e bëri të papranueshëm për shumë njerëz.

Të paktën 8 persona janë vrarë dhe 343 të tjerë janë plagosur në përleshjet anembanë Egjiptit, gjatë së mërkurës, ditën kur ushtria egjiptiane bëri të ditur se ka rrëzuar Mohamed Morsi-n nga posti i presidentit. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia shtetërore e lajmeve Al-Ahram, e cila citon Ministrinë e Shëndetësisë.