Miratohet në parim ligji për buxhetin

Miratohet në parim ligji për buxhetin

Është votuar në parim në seancën e sotme, vetëm me votat e mazhorancës, projektligji për rishikimin e buxhetit. Projektligji mori 71 vota pro dhe asnjë kundër e asnjë abstenim, pas braktisjes së sallës së Kuvendit nga ana e deputetëve të Partisë Socialiste.

Gjatë seancës, e cila nisi herët gjatë paradites, opozita kritikoi buxhetin e qeverisë dhe masat e dështuara sipas saj kundër krizës ekonomike.

Ndërsa deputeti socialist Ilir Beqja ka kritkuar ashpër buxhetin dhe ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka përhapur krizën financiare në të gjitha nivelet e ekonomisë.

“Ky buxhet e thellon krizën që e ka zanafillën në vitin 2009. Ja ku erdhëm, krizën e financave publike Berisha e futi në cdo sipërmarrës që kontraktoi. Më pas kriza filloi të hynte edhe në buxhetet familjare, të cilat iu drejtuan bankave, të cilat i besuan pasi ishin të kontraktuar nga Berisha. Tani kemi shumë kredi të këqija. Por kriza preku edhe emigrantët shqiptarë dhe Berisha, në vend që të përballej me krizën, po e fsheh atë dhe po e con Shqipërinë në greminë”, ka deklaruar Beqja.

Por nga radhët e qeverisë ishte ministri i Financave, Ridvan Bode i cili kritikoi qëndrimin e opozitës që nuk ofroi asnjë alternativë dhe veproi sipas tij në bazë të interesave të kryetarit, Edi Rama.

“PS interpretoi pamfletin që kryetari i opozitës u vë në gojë deputetëve të tij. Ata janë të shqetësuar vetëm për kolltukun e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që ka një ëndërr kryeministrore”, ka theksuar Bode.

Ai ka shtuar se buxheti i këtij viti ka nivelin më të larrtë prej 27.2% të GDP-së si të ardhura në buxhetin e shtetit.