Miratohet Ligji për sigurime shëndetësore

Miratohet Ligji për sigurime shëndetësore

Miratohet Ligji për sigurime shëndetësoreKuvendi ka miratuar të enjten në parim Projektligjin për sigurimin shëndetësor. Atë e ka prezantuar ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani. Gjatë fjalës së tij Agani e ka vlerësuar projektligjin pjesë të rëndësishme të kornizës reformuese legjislative për shëndetësinë e Kosovës, transmeton Koha.net. 

“Ky projektligj është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me gjithë faktorët relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa për shkak të ndjeshmërisë dhe kompleksitetit të tij, ka pasur rrugë të gjatë të elaborimit, rreth tre vjet”, ka thënë Agani. “Miratimi i këtij projektligji, do t’i mundësojë shëndetësisë së Kosovës avancimin drejt sistemeve bashkëkohore shëndetësore, ndërsa qytetarëve, sigurimin e qasjes universale ndaj shërbimeve cilësore shëndetësore”.

Deputetja Flora Brovina, në emër të PDK-së ka thënë se ky projektligj i ka munguar Kosovës, dhe se është mirë që qytetarët ta kenë obligim që të marrin pjesë në të.

Për deputetin Bahri Thaçi të LDK-së projektligji për sigurime shëndetësore është bazë për reformimin e shëndetësisë në secilin vend dhe kjo duhet të jetë edhe në Kosovë.

E, deputeti Faton Topalli, teksa ka folur në emër të Vetëvendosjes, është shprehur se Projektligji për sigurimin shëndetësor, përkundër rëndësisë së madhe që ka për qytetarët e Kosovës, nuk përkon me kërkesat reale dhe nuk siguron qëndrueshmëri përmes fondit i cili duhet të themelohet për t’i mbuluar shpenzimet. Ai paralajmëroi se nëse nuk merren parasysh rekomandimet dhe vërejtjet e tyre, ata nuk do ta mbështesin këtë projektligj.

Time Kadrijaj në emër të AAK-së ka thënë se Projektligji ka për qëllim qasjen universale të qytetarëve të Kosovës ndaj shërbimeve kualitative shëndetësore.

Projektligji për sigurimin shëndetësor parasheh që të gjithë punonjësit dhe punëdhënësit e sektorit publik dhe publiko-privat dhe privat, në ndërmarrje që kanë qarkullim me të madh se 50 mijë euro të regjistruara në tatimin mbi vlerën e shtruar, do të paguajnë shtatë për qind nga të ardhurat bruto, në pjesë të barabarta ndërmjet punëdhënësit dhe të punësuarit, pra çdo njëri nga 3.5 për qind.

Po ashtu, parashihet që të punësuarit e tjerë, në sektorin privat, ndërmarrjet më të vogla të mesme dhe me të vogla, si dhe qytetarët që nuk janë të regjistruar si të punësuar por kanë të ardhura tjera, do të paguajnë nga 3.5 euro në muaj.

Ndërsa, për qytetarët e liruar nga çdo formë e bashkëfinancimit, sipas ligjit për shëndetësi, projektligji për sigurimin shëndetësor, pagesa e premiumit të sigurimit të obligueshëm shëndetësor do të bëhet me transfere financiare nga Buxheti i vendit.

Në seancën e së enjtes, Kuvendi gjithashtu ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e bujqësisë; Projektligjin për themelimin e Agjencisë për shërbimet e navigacionit ajror; Projektligjin për Shërbimin mjekësor emergjent; Projektligji për shëndetin mendor dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Në shqyrtim të dytë është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.