Ministria e Punës premton vende pune për 500 persona
Kosova vazhdon të jetë vendi me papunësi më të madhe në rajon. Kjo i bën atraktive edhe më shumë aktivitetet e organizatave joqeveritare në organizimin e bursave të punësimit. Këto aktivitete marrin përkrahje edhe nga institucionet qeveritare. Të hënën Qeveria përkrahu me 95 mijë euro aktivitetin “Bursa e punësimit 2012”, që organizohet nga Aleanca Kosovare e Biznesit.
“Pas një konsulte, kryeministri ka miratuar propozimin tonë për ndarje të mjeteve financiare për përkrahjen e Bursës së Punësimit për këtë vit. Besoj që edhe këtë vit të kemi sukses si në vitet e kaluar ku është arritur punësimi i qindra personave”, thotë ministri i Punës, Nenad Rashiq.
Sipas tij, mjetet e ndara nuk janë shumë në krahasim me rezultatet që dalin nga Bursa e Punësimit.
“Bursat e punësimit në vendet tjera kushtojnë shumë më shtrenjtë. Në Kroaci për bursën e punësimit shpenzohen katër milionë euro në vit, e te ne janë shpenzuar 100 mijë euro. Në tri vitet e fundit rezultatet e kësaj Burse kanë rezultuar me mbi 200 të punësuar brenda vitit. Vetëm në vitin e fundit janë punësuar mbi 500 persona përmes këtij aktiviteti. Besoj që ia ka vlejtur të investojmë 100 mijë euro”, thotë Rashiq.
Për këtë vit ministria ia ka vënë qëllim vetes të punësojë rreth 500 persona. “Shumë nga ndërmarrjet tona të vogla kanë kapacitet të punësojnë të paktën edhe një person. Këtë ne do ta shfrytëzojmë dhe do të arrijmë targetin tonë që për këtë vit është 500 vende të reja pune. Shpresojmë që do ta arrijmë këtë target”, theksoi Rashiq.