10pritja_1008111151_1

Ministria e Kulturës nuk ka marrë raport për 75 mijë euro

 Plot 75 mijë euro të ndara shtatorin e vitit të kaluar për realizimin e katër projekteve nga ana e Muzeut të Kosovës nuk dihet ende se ku kanë përfunduar.

Në Ministrinë e Kulturës, e cila i ka ndarë këto mjete përmes një memorandumi mirëkuptimi me Muzeun, thonë se ka dy muaj që janë duke kërkuar raport nga drejtori i Muzeut të Kosovës për punën e bërë në shpenzimin e mjeteve dhe realizimin e projekteve. Memorandumin e kishte nënshkruar ish-ministri Lutfi Haziri dhe drejtori i Muzeut Arbër Hadri. Ky i dyti i ka thënë gazetës se raportin e punëve të bëra dhe investimit ka qenë duke e hartuar dhe se do ta dorëzoj shpejt atë. “Pikërisht sot (e martë v.j) jam duke e finalizuar dhe do ta dorëzoj”, ka thënë Hadri.

Por Shasivar Haxhijaj, këshilltar i lartë i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, ka thënë se janë duke pritur raport qe dy muaj.

“Ne faktikisht nuk e dimë se ku janë ato para e as nëse projektet janë realizuar”, ka thënë Haxhijaj. Ai ka shtuar se nëse raporti nuk do të dorëzohet më së largu deri në fund të këtij muaji atëherë me këtë punë do të merret Gjykata.

“Nëse nuk kemi raport se a janë shpenzuar mjetet për këto projekte apo jo me këtë punë merret drejtësia”, ka thënë Haxhijaj.

Sipas memorandumit të mirëkuptimit për zbatimin e projektit “Shenjëzimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore, nënshkruar më 21 shtator të vitit të kaluar, 75 mijë eurot do të shpenzoheshin për katër projekte. Pllakat shenjëzuese me vlerë prej 98.600 euro, kartelat për trashëgiminë e luajtshme në dy mijë copë dhe broshurat për Listën e trashëgimisë kulturore secila në vlerë prej dy mijë e 800 euro si dhe 800 euro për dizajnin dhe përgatitjen e tyre, janë katër projektet të cilat nuk dihet nëse janë kryer.

Sipas Haxhijat, Hadri nuk ka raportuar asnjëherë se si kanë shkuar këto punë.

“Ne i kemi dërguar letër zyrtare drejtorit të Muzeut ku i kemi kërkuar së paku që të dimë nëse janë kryer punët ose deri ku kanë shkuar procesi i kryerjes së tyre. Në një farë mënyre këtë gjë ai është dashur ta bënte në baza mujore që të dihet si po rrjedh procesi e jo ta lërë në fund të skadimit të afatit”, ka thënë Haxhijaj.

E skadimi i afatit sipas memorandumit të  mirëkuptimit bëhet 12 muaj nga data e nënshkrimit.

“Unë kam kohë deri në shtator. S’kam pse të raportoj më herët”, ka thënë Hadri.

Teksa në MKRS nuk dinë asgjë për këtë projekt, për Hadrin të gjitha këto projekte lëre që janë kryer por me 75 mijë eurot janë realizuar edhe disa punë shtesë.

“Kemi bërë edhe disa projekte si Ditët e Trashëgimisë, disa konferenca e të tjera…, mirëpo punët që janë të përfshira në këtë memorandum janë kryer”, ka thënë Hadri.

Sipas tij, të gjitha pllakat shenjëzuese janë të gatshme, porse vendosja e tyre nuk i takon Muzeut porse duhet të bëhet nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore.