Ministria e Bujqësisë ua subvencionon naftën kombajnerëve
Ministria e Bujqësisë do t’i subvencionojë kombajnerët në masën prej 25 për qind të çmimit për litër të derivateve të naftës për fushatën e korrje-shirjes së drithërave të bardha. Kjo ministri ka marrë vendim që të ndajë një fond prej 500 mijë eurove, në mënyrë që të përkrahë zvogëlimin e çmimit të naftës që shfrytëzohet nga pronarët e kombajnave. Sipas Ministrisë, përgatitjet për fushatën e korrje-shirjeve tashmë janë në fazën përfundimtare dhe fushata pritet të fillojë javën e ardhshme.
Në takimin e përbashkët të përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë me drejtoritë komunale të bujqësisë, është propozuar që çmimi fiks për autokombajnat në fushatën e korrje-shirjeve të jetë 100 euro për hektarë, i njëjtë me atë të vitit të kaluar.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e drejtorive bujqësore komunale kanë treguar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për realizimin e aktiviteteve të korrje-shirjeve dhe sipas raporteve përfundimtare të drejtorive komunale, në këtë fushatë do të përshihen gjithsej 1.558 autokombajna.
“Ministria e Bujqësisë ka formuar edhe komisionin qendror për monitorimin e fushatës së korrje-shirjeve në përbërje të nëntë anëtarëve, ku pjesë përbërëse e tij do të jenë edhe përfaqësuesit e drejtorive komunale të bujqësisë, përfaqësuesit e kombajnerëve dhe shoqatës së mullisëve, si dhe përfaqësuesit e Fakultetit të Bujqësisë”, thuhet në një komunikatë të kësaj Ministrie.
Sipas të dhënave zyrtare, Ministria e Bujqësisë sivjet i ka subvencionuar 8.664 fermerë për gjithsej 36.637 hektarë të mbjellë me grurë. Vlera e subvencioneve arrin në rreth 3.6 milionë euro. Ndërsa, sipas të dhënave të drejtorive komunale të bujqësisë, sipërfaqe të mbjella me grurë në këtë vit janë gjithsej 83 mijë e 875 hektarë.