rame-buja1

Ministri Buja ua uron mësimdhënësve 7 Marsin

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e Republikës së Kosovës për, siç thuhet, këtë ditë të shenjtë, që simbolizon fillimin e mësimit të shkronjave shqipe dhe hapjen e epokës së dijes për të ardhmen e ndritur dhe të sigurt.

“Për Qeverinë e Republikës së Kosovës e në veçanti Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë, 7 Marsi është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës, sepse me këtë datë fillon lëvizja e fuqishme e popullit tonë”.

“Shkolla shqipe, përveçqë ka qenë vatër e diturisë, ka qenë edhe baza e nismave të mëdha historike në rrugën e shndërrimit të Kosovës në shtet. Mësimdhënësit kanë qenë ata që e kanë dhënë kontributin e tyre të fuqishëm për pavarësinë e Kosovës, të cilën sot po e gëzojmë”.

“Ne jemi shumë mirënjohës për kontributin e mësimdhënësve për edukim dhe zhvillim të gjithëmbarshëm të shoqërisë. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të angazhohet për avancimin e pozitës së mësimdhënësve dhe respektimin institucional të dinjitetit dhe të interesit të tyre”, thuhet në urimin e ministrit Buja.