Miliona euro pastrohen në Kosovë përmes biznesit me skrap

Miliona euro pastrohen në Kosovë përmes biznesit me skrap

Miliona euro pastrohen në Kosovë përmes biznesit me skrapNëpërmjet tregut të eksportimit të mbeturinave të metaleve (skrapit) në Kosovë po bëhet shpëlarje e parave në vlera qindra mijëra euro dhe shmangie e tatimit.

Në këtë krim të organizuar janë të përfshirë njerëz të fuqishëm. Lexojeni dëshminë e biznesmenit Haki Dajaku dhënë në hetuesi dhe prononcimet e dhëna për Gazetën Express nga akterët tjerë që i implikon Dajaku në këtë krim.

Paratë po shpërlahen në tregun e mbledhjes dhe eksportimit të mbeturinave të hekurit, i njohur si tregu i skrapit.

Flitet për qindra-miliona euro në vit, për krejt periudhën e pasluftës së fundit në Kosovë dhe që po vazhdon ende.

Këto janë pretendimet e biznesmenit nga Skenderaj, Haki Dajaku, pronar i kompanisë “Marigona”, dëshminë e të cilit po e heton Prokuroria e Shtetit.

Por si funksiononte ky treg, kush ishin liderët dhe kush përfitonte nga shpëlarja e parave, sipas pretendimeve të biznesmenit Dajaku?

Express ka siguruar dëshminë e Dajakut që e ka dhënë në Stacionin Policor në Skenderaj e ku e implikon edhe veten si pjesë e krimit.

“Kemi të bëjmë me pastrim parash, manipulim me prejardhjen e mallit, shmangie tatimi etj”, u thotë ai hetuesve policorë, derisa tregon se pse ka vendosur të flas.

Ai që nga viti 2008 i kërkon mbi 80 mijë euro, që pretendon se ia ka borxh kompania “Euro-Aktiva” nga Shkupi, kompani në pronësi të politikanit shqiptar Nuhi Aliu.

Kjo kompani në ueb-faqen e saj pati deklaruar se zotëron mbi 80 përqind të tregut të import-eksportit të metaleve në Kosovë. Nuhi Aliu ishte kandidat për deputet i partisë shqiptare në Maqedoni, Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK).

Në rrëfimin e tij Dajaku pretendon që prapa krejt këtij biznesi, që sipas tij përdorët për shpëlarje të parave, qëndron një forcë e madhe e lidhur edhe me politikën kosovare.

“Kemi të bëjmë me krim të organizuar që fillon në Kosovë e përmes Maqedonisë përfundon në Greqi. Shteti grek pranon mall nga Kosova me dy parë dokumente”, thotë Dajaku.

Kompania “Euro Aktiva” eksporton skrap në Greqi, në fabrikën “Sidenor”.

Edhe “Labëria Company”, kompania e “Farukut” ka pasur bashkë me logon e saj edhe logon e “Sidenor”, në zyrat e fundit të saj që i ka pasur në magjistralen Prishtinë-Frizaj, afër rrethit që njihet si “Rrethi te QMI’ja”.

Biznesi i eksportimit të skrapit në Kosovë ka qenë kryesisht i zotëruar nga “Euro AKtiva” e Nuhi Aliut, derisa në Kosovë kishte përfaqësues biznesmenin shtimjan, Fahredin Gashin-Faruku, i dënuar me 18 vite burg për krime lufte në procesin gjyqësor “Bllaca I”.

Multimilioneri Fahredin Gashi-Faruku për shkak të problemeve psikike që thuhet se iu shfaqen në fund të procesit gjyqësor, tash po gjykohet ndaras nga grupi tjetër i të të dënuarve nga EULEX’i në procesin “Bllaca II”, të cilët u dënuan për krime të pas luftës, kryesisht vrasje tentim-vrasje politike.

Në këtë proces (“Bllaca II”), jo Prokuroria, por Gjykata konstatoi se grupin ku bënin pjesë Sadik Abazi, Shaban Syla, Driton Hjdari, Bekim Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi e Nazim Bllaca udhëhiqej nga Azem Syla, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK), aktualisht deputet i partisë në Pushtet, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kontrata që e lidh Dajakun e kompaninë “Euro Aktiva”

Gazeta Express e ka pyetur biznesmenin dhe politikanin shqiptar në Maqedoni, Nuhi Aliu për pretendimet e Haki Dajakut se ai i ka borxh dhe është pjesë e saj që ai e quan “Krim i organizuar me skrap që nis në Kosovë e përmes Maqedonisë përfundojnë Greqi”, por i njëjti ka mohuar çdo lidhje.

“Nuhi Aliu asnjëherë nuk ka punuar me skrap (mbeturina) në Kosovë, dhe nuk ka pasur kurrfarë përfaqësuesi të vetë në Kosovë”, thotë ai për Express.

Por biznesmeni Haki Dajaku pretendon që ka fakte që e lidhin fortë me kompaninë “Euro Aktiva”, kompani ndër tatimpaguesit më të madhej në buxhetin shtetit maqedonas.

Ai ka prezantuar për Express një kontratë të lidhur mes tij dhe Agim Azirit, një diler i autorizuar i “Euro Aktiva” për Kosovë.

Në këtë kontratë të vulosur nga avokati Mentor Hajraj, Aziri nënshkruhet si përfaqësues i “Euro Aktiva”, dhe për më shumë pranon borxhin prej mbi 80 mijë euro ndaj Dajakit dhe kamatat nëse nuk e paguan atë.

Si garanci për këtë borxh futen disa kamionë dhe makina, e pasuri të tjera, për të cilat, Haki Dajaku në intervistën para hetuesve thotë se të njëjta tash janë në pronësi të “Euro Aktiva”.

“Euro Aktiva”, pos Agim Azirit, ka pasur si përfaqësues në biznes kompaninë “Laberia Company” të Fahredin Gashit-Farukut. Kjo kompani, sipas të dhënave të Administratës Tatimore, vetëm për katër vit (2008-2011), pati një qarkullim mbi 66 milionë euro.

Kompania, me gjithë milionat në qarkullim, kishte të deklaruar në vazhdimësi vetëm dy punëtorë, “Farukun” dhe gruan e tij, një fakt që biznesmeni nga Skenderaj, Haki Dajaku ua përmend si provë hetuesve policor se si fakt që ne tregun skrapit në Kosovë janë bërë shpëlarje të parave.

Haki Dajaku, pornar i “Marigona”

Dajaku: Shteti e fshehu deklaratën time për shpëlarje të parave

Express ka kontaktuar biznesmenin Haki Dajaku, i cili pretendon se në tregun e skrapit në Kosovë bëhet shpëlarje e parave, shmangie e tatimit dhe krim i organizuar që prej këtu e përmes Maqedonisë përfundon në Greqi.

Ai deklaron se këto pretendime nuk janë të pa njohurr për shtetin kosovar dhe Prokurorinë.

“Në vitin 2009, po për këtë borxh që më ka kompania “Euro Aktiva” përmse përfaqësuesiet të tyre Afrim Aziri, Nuhi Aliu, pronar i kësaj kompani, Fahredin Gashi, Shpresim Uka e një kallaballëk tjerë-pjesë e krimit të shpëlarjes së parave , kanë pas hëngër dajak te retuaranti “Vila Marigona”, thotë Dajaku.

Në këtë rast edhe jam intervistuar si dëshmitar nga Policia, por krejt deklarimet e mia se me këtë biznes po shpërlahen parat e po dëmtohet shteti, u hodhën poshtë,megjithëse unë qysh atëherë kam thënë që edhe unë jam i përfshirë këtu”, thotë Dajaku për Express.

Ai thotë se Policia nuk hetoi më tutje, pos që i dënoi për rrahje të përfshirit në këtë rast, dhe ai as që u intervistua më kurrë.

Express ka pyetur Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit se pse pretendimet e tija të dhënën në deklaratën e viti 2009 nuk janë hetuar, por këto dy institucione nuk janë përgjigjur.

Haki Dajku thotë që kjo rrahje ka ndodhur në majin e viti 2009, derisa në fund të këtij viti, ishte shfaqur në publik i vetëshpalluri agjent dhe anëtar i skuadrës së vrajave të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Nazim Bllaca nga deklarata e të cilit u dënua përfaqësuesi lideri i tregut të eksport-importi të skrapit në Kosovë, Fahredin Gashi-Faruku.

Pasi që Gashi është në burg, e Shpresim Uka në arrati, Express nuk ka mundur të marr nga një koment nga ta, derisa Nuhi Aliu, që sipas Dajakut “hëngri dajak” për borxhin që i ka kompanisë “Marigona” nga Skenderaj, nuk e ka pohuar as mohuar këtë.

Haki Dajaku, i intervistuar nga Express thotë që po pret që hetimet nga Prokuroria e Shtetit të vazhdojnë tash, pasi që herën e parë nuk u morën me deklarimet për shpëlarje të parave me anë ët tregut të skrapit.

Ai u ka thënë hetuesve se prapa këtij krimi të organizuar qëndrojnë njerëz të fuqishëm të cilët përfitojnë nga kompani të vogla që janë viktimë e krimit, por nuk ka përmendur emra.

“Për të gjitha këto kam dëshmi. Unë jam viktimë këtij rrjeti dhe kam gjithashtu kam dëshmitarë që janë viktima të këtij rrejti”, u thotë hetuesve Dajaku.

Borxhi ndaj shtetit

Dajaku me kompaninë e tij thotë që i ka borxh edhe Administratës tatimore të Kosovës, por thotë se borxhi I tij nuk mund të kryhet ndaj ATK’së pa ia kthyer paratë “Euro Aktiva”. ATK nuk u është përgjigjur pyetjeve të Express në lidhje me borxhin tatimor e kësaj kompanie ndaj shtetit, me arsyetimin se ai është sekret afarist.

As doganat e Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Express se sa është vlera e mallit që Afrim Aziri, “Euro Aktiva” apo “Laberia Company” kanë eksportuar nga Kosova e që është blerë nga kompania “Marigona”e Haki Dajakut. /Express/