Mercedes-Benz rifreskon klasën CL

Mercedes-Benz rifreskon klasën CL

Pas tri vitesh prani në treg ka ardhur koha për rifreskimin e kupesë së madhe të Shtutgartit. Kështu Mercedes mu në mes të jetëgjatësisë së tij ka vendosur që t’ia tërheqë rrudhat modelit CL. Veç risive teknike dhe ndryshimeve më të vogla stilistike, një prej lajmeve të rëndësishme kësaj radhe është fakti se automjeti ende bart të njëjtën shenjë.

Sigurisht kjo u tingëllon çuditshëm, mirëpo paralajmërimet e mëhershme zyrtare thoshin se emërtimi i të rifreskuarit CL do të përshtaten me nomenklaturën e re dhe se ai do të quhej S-class Coupe. Megjithatë, prodhuesi e ka shtyrë këtë ndryshim për gjeneratën e re e cila vjen në vitin 2013.

Nga pikëpamja e dizajnit në të gjenden mbrojtësit e ri, dritat e ridizajnuara si para dhe pas, përdorimi i teknologjisë LED, maska e rifreskuar e motorit, retrovizorë të reja si dhe ndryshime tjera më të vogla. Ngjashëm është edhe në brendësi ku risi kryesisht paraqesin materialet e reja, kombinimet e reja me ndriçim ambiental, timoni shumë-funksional, pajisje më të avancuara. Me fjalë tjera, një tërheqje klasike e rrudhave.

Risinë më të madhe nga pikëpamja teknike e përbën ardhja e motorit të ri 4.6-litërsh V8 bi-turbo me 435 kuaj fuqi dhe moment maksimal të rrotullimeve prej 700 Nm.

Bëhet fjalë për një motor me 50 KF më tepër si dhe 150 Nm më shumë se motori 5.5-litërsh atmosferik V8 të cilin ai e zëvendëson. Për më tepër, bëhet fjalë për një motor më ekonomik shpenzimi mesatar i të cilit, falë teknologjisë stop-start dhe frenimit regjenerativ, shpenzon rreth 9.5 l/100 km, dhe i cili së bashku me marshin automatik prej shtatë shpejtësish, CL 500 do të arrijë shpejtësinë deri në 100 km/h për 4.9 sekonda. /Telegrafi/