Më shumë se njëmijë kosovarë ndalohen nëpër stacionet e Budapestit

Më shumë se njëmijë kosovarë ndalohen nëpër stacionet e Budapestit

Më shumë se njëmijë kosovarë ndalohen nëpër stacionet e BudapestitStacionet e trenave në Budapest janë mbushur me kosovarë. Nga aty emigrantët marrin një biletë që të udhëtojnë drejt vendeve të tjera të BE-së. Por, policia u ka rënë në gjurmë…

Gjatë 24 orëve të fundit janë ndaluar më shumë se njëmijë persona. Udhëtimi i gjatë dhe maltretimet e Policisë kanë bërë që shumë kosovarë të kërkojnë kthimin në atdhe, por ka edhe të tjerë që këmbëngulin në rrugën që e kanë nisë.

Stacioni i trenit në Budapest për çdo ditë mbushet me qindra emigrantë ilegalë nga Kosova. Në mesin e tyre ka shumë fëmijë, gra shtatzëna madje edhe persona me nevoja të veçanta.

Televizioni publik ka takuar disa prej tyre në stacionet e trenit në Hungari, të cilët kanë treguar për vështirësitë e udhëtimit deri në Budapest.

Qytetarët të cilët ndalohen nga Policia kufitare, pasi të paraqesin kërkesën për azil, urdhërohen të shkojnë në qendrat e azilkërkuesve, por ata nuk i përmbahen rregullave duke tentuar sërish të udhëtojnë në mënyrë ilegale drejt vendeve të tjera të BE-së.

Edhe pas kësaj ata sërish përfundojnë në stacionet policore, pasi masat e kontrollit në stacionet e trenit janë shtuar dukshëm, duke ua konfiskuar biletat e udhëtimit për linjat ndërkombëtare. Sipas Policisë, qytetarët nuk duhet të refuzojnë të shkojnë në qendrat e azilkërkuesve për të tërhequr kërkesën për azil, pasi nuk ekziston ndonjë formë tjetër ligjore për t`u kthyer në vendlindje.

Qytetarët të cilët nuk dëshirojnë të kthehen në qendrat e azilkërkuesve, me ditë të tëra po sillen rrugëve të Budapestit duke i mbajtur fëmijët të uritur dhe në ambiente të ftohta, në pamundësi për të udhëtuar diku tjetër.