fsk_275474_thumb_large

Më mirë që s’kishte memorandum FSK-Polici!

Memorandumi që ishte hartuar dhe pritej të nënshkruhej nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Forcës së Sigurisë, sipas kryetarit të Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, Ahmet Isufi nuk ka pasur të bëjë me veprimet e fundit në veri të vendit. Në një intervistë për Kosovapress, ai ka thënë se më keq do të ishte sikur të kishte qenë i nënshkruar ai memorandum, ngase sipas tij, do të mund të haste në kundërthënie mes mekanizmave institucionalë. 

Ditë më parë, bashkëpartiaku i Isufit, eksperti i sigurisë Naim Maloku, ka akuzuar opozitën dhe gjithë kundërshtuesit e memorandumit FSK-Polici, duke thënë se me këtë i kanë bërë dëm vendit, ngase po të ishte i nënshkruar ky memorandum, do të mund të kishte një bashkëpunim mes FSK-së dhe Policisë gjatë aksionit në veri.

Por, Isufi ka thënë se komisioni nuk e ka kundërshtuar memorandumin, por ka kërkuar që ministritë përkatëse ta përfillnin bazën ligjore dhe të kenë kujdes në elementet me të cilat përcillet ai memorandum.

“Ne kemi konsideruar se aty ka qenë në përpunim ai memorandum dhe nuk ka qenë i kryer. Prandaj derisa ka qenë në përpunim, ne vetëm iu kemi thënë që bazën ligjore ta përfillin dhe të kenë kujdes në elementet, me të cilat përcillet ai memorandum. Meqë ka qenë fazën përgatitore ka qenë shumë mirë që kemi vepruar ashtu, për arsye se më keq do të kishte qenë sikur të kishte qenë memorandumi i nënshkruar e me pasojat ligjore që do të mund t’i kishte, ose do të haste në kundërthënie mes mekanizmave institucionalë”, është shprehur Isufi.

Sipas tij, ai memorandum ka pasur të bëjë kryesisht me ndarjen e obligimeve mes dy ministrive, asaj të Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, përderisa në mënyrë të tërthortë i përgjigjet Malokut, duke thënë se nuk ka pasur të bëjë me tema që mund t’i shpikë dikush.

“Nuk ka pasur të bëjë me veprime të tillë. Memorandumi ka pas të bëjë me ndarjen e obligimeve mes dy ministrive, të cilat po ashtu edhe harmonizimin e qëndrimeve rreth veprimeve të mëtutjeshme në bashkëpunim. Domethënë kjo ka pas të bëjë me këtë memorandum dhe s’ka pas të bëjë absolutisht as me veriun, as me ndonjë temë që mund ta shpikë dikush”, ka thënë Isufi.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi në intervistën për Kosovapress, i është kundërpërgjigjur ish-nënkryetarit të AAK-së, Naim Maloku edhe sa i përket zhvillimeve në këtë parti.

Ky i fundit ka thënë se AAK-ja i ka fajet për ndarjen e LDK-së në vitin 2006 dhe për largimin e Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit të vendit.

Por Ahmet Isufi thotë se nuk ja vlen të merret me deklaratat e Naim Malokut.

“Po t’i kishim dëgjuar më herët, këto do të kishim thënë se janë racionale. Por meqë pas kaq vitesh thuhen, nuk ia vlen të merremi me to”, ka thënë ai.

Ai mbështet qëndrimin që AAK-ja kishte para dhe pas zgjedhjeve, kundër koalicionit me PDK-në, me Hashim Thaçin në krye të Qeverisë, ndërkohë që arsyeton kërkesën që kishte LDK-ja për koalicion të gjerë ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

“Kur kemi deklaruar që do të ishte mirë të kemi një koalicion mes PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kemi pasur parasysh zhvillimet të cilat kanë pasur të bëjnë edhe me këto efektet e fundit që janë në Kosovë, duke pasur një unitet shumë më të madh mes subjekteve politike të Kosovës dhe nuk jemi ndarë në atë ose në këtë, por përkundrazi kemi paraqitur qëndrimin tonë parimor edhe pse e kemi ditur se në pjesëmarrjen e qeverisë duke qenë si tri parti do të kemi më pak pjesëmarrje në ndarjen e përgjegjësive dhe të interesit politik. Përkundrazi ne kemi hequr diçka nga vetja, në mënyrë që skena politike e Kosovës të jetë më stabile, më unike dhe në mënyrë që veprimet institucionale të vendit të jenë më progresive”, ka thënë Isufi.

Isufi ka thënë se ajo që i intereson AAK-së në këto momente është lirimi sa më i shpejtë të Ramush Haradinajt, rigjykimi i të cilit ka filluar të enjten. Përderisa për kritikat që i bën Maloku për AAK-në dhe për grupin parlamentar të kësaj partie, të cilin e quan pa vizion, Isufi thotë se Maloku deri dje ka qenë pjesë e këtij grupi, duke mbajtur madje vazhdimisht postin e nënkryetarit të Kuvendit dhe tani ka të drejtë të komentojë si të dojë.