Me 22 korrik përballja Basha-Olldashi

Me 22 korrik përballja Basha-Olldashi

Me 22 korrik përballja Basha-OlldashiKatër janë kandidaturat zyrtare për të marrë kreun e Partisë Demokratike, pas dorëheqjes së Sali Berishës. Kandidaturat u zyrtarizuan dje në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike. Gara do të zhvillohet mes kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe ministrit në detyrë të Transporteve, Sokol Olldashi. Formalisht do të garojnë edhe Astrit Sinani dhe Sokol Prek Paja.

Ndërkaq, Kryesia ka përjashtuar nga gara Aleksandër Biberaj, i cili kishte shprehur ambicien për të marrë kreun e PD. Kryesia e PD ka caktuar 22 korrikun si datën ku do të votohet për kreun e ri nga ku do të shpallet një emër fitues. Kreu i dorëhequr i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi kandidatët nga të cilët njëri do ta zëvendësojë në detyrë ne drejtimit të PD.

“Kam kënaqësi t’ju informoj se kandidaturat të cilat plotësojnë kriteret sipas degës së organizimit të Partisë Demokratike janë katër: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, anëtari i Kryesisë z. Lulzim Basha. Nuk besoj se ka nevojë që unë të ndalem në renditjen e CV-së, sepse do të botohet në gazetën e partisë. Kandidaturë është Ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi. Kandidaturë që ka paraqitur dokumentet dhe plotëson kushtet janë dy. Astrit Sinani, i cili është anëtar i Partisë Demokratike, dega Fier. Sektori i organizimit më njoftoi se z. Sinanaj është anëtar i Partisë Demokratike dhe mbi bazën e Statutit ai ka të drejtë të kandidojë. Kandidatura e katërt që ka paraqitur dokumentet është Sokol Prek Paja, anëtar i Partisë Demokratike, dega Tiranë”, tha Berisha.

Të përjashtuarit

Kreu i dorëhequr i PD sqaroi arsyet se përse disa persona që kanë paraqitur dokumentet për kandidim, nuk janë pranuar. “Janë disa, sipas degës së organizimit të cilët nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike dhe natyrisht që një nen në këtë Statut, i cili nuk lejon kandidimin për kryetar të Partisë Demokratike, apo forumet e saj, persona që janë jashtë anëtarësisë së Partisë Demokratike. Ata të cilët e kanë patur një qëllim të mirë unë dua t’i falënderoj për besimin që kanë dëshmuar dhe t’i ftoj të anëtarësohen në Partinë Demokratike”, sqaroi ai. Berisha shprehu besim në integritetin e anëtarëve dhe drejtuesve të PD në të gjitha nivelet se do të dinë të bashkohen me lidershipin e ri në interesin me të mirë të PD.

Opozitë e fortë

Kryetari i dorëhequr i PD këshilloi anëtarësinë demokrate që tashmë duhet të veprojë dhe mendojë si një opozitë e fuqishme që tenton të vijë në pushtet. “Është në detyrën tonë më parësore, flakja mënjanë e mantelit të një force politike në pushtet, përveshja e llërave për t’u shndërruar në opozitën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë. PD ka potencialin më të madh sot se kurrë në historinë e saj për t’u bërë pushteti moral i vendit për të PD duhet të jetë e vetëdijshëm në çdo qelizë të saj për domosdoshmërinë jetike si opozitë e sigurt që ecën e sigurt drejt fitores së radhës. Pikërisht në këtë kuadër, evenimenti më i rëndësishëm është gara për lidershipin e ri”, tha ai.

Basha: Do pranoj rezultatin

Kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zyrtarisht kandidat për kreun e ri të PD ka deklaruar se pas procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri PD do të dali më e vendosur.“Kryesia ka marrë vendimin sot për zyrtarizmin e kandidaturave. Natyrisht, dua të shpreh mirënjohjen time për këtë vendim si edhe bindjen time që nga krye proces do të dalim më të vendosur dhe më të bashkuar. Ashtu si edhe kandidati tjetër Olldashi, Basha tha se do të pranojë rezultatin.. Lulzim Basha nëse fiton do të drejtojë Partinë Demokratike nga zyra e bashkisë së Tiranës, të paktën edhe për dy vjet, sa të zgjidhet kryetari i ri, në zgjedhjet vendore të 20015. Një veprim i tillë është bërë edhe nga kreu i PS, Edi Rama, kur drejtonte bashkinë, gjë që është sulmuar vazhdimisht nga PD.