Mbylleni shpejt skandalin e pasaportave

Mbylleni shpejt skandalin e pasaportave

Mbylleni shpejt skandalin e pasaportaveOrganet e drejtësisë e kanë shumë lehtë ta zgjidhin rastin e humbjes së 1.4 milionë eurove. I kanë krejt dokumentet dhe dëshmitë e nevojshme. Për këtë punë, vullnetarisht kam dhënë edhe një deklaratë në EULEX.

Le t’i kapin përgjegjësit dhe t’i dënojnë. Nëse deri të premten nuk gjejmë zgjidhje me kompaninë austriake, shpallim tender të ri për prodhimin e pasaportave biometrike. Kështu ka thënë, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, për Express.

Edhe pas këtij skandali, ministri Rexhepi ka thënë se as që bëhet fjalë të japë dorëheqje.

“Jo, për këtë madje mos më pyesni më kurrë, s’e kam ndërmend të ndërroj mendje”.

Megjithëkëtë, ai është i bindur se procesi i tenderimit është krejt i pastër.

“Nëse komisioni për vlerësim ka punuar pas shpinës – siç deklaroi njëri tash së fundit – mua më është prezantuar fituesi i cili i ka pasur kushtet më të mira, pra kompania austriake. Kur shkuam në Vjen që ta shtypim pullën për fillimin e prodhimit të pasaportave, e ku kishim një takim të shkurtër pune, kam deklaruar dhe vazhdoj të qëndroj pas asaj se jam shumë i kënaqur që ky tender ka shkuar shumë pastër. Atyre u thashë edhe diçka: nëse dikush rastësisht u kërkon para ose diçka tjetër, dijeni se janë jashtë suazave, pasi ju keni fituar sepse ishit ofertuesi më i mirë”, thotë Rexhepi.

I pari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, thotë se nuk e di se kush janë zyrtarët e MPB’së të përfshirë në këtë aferë. Sipas tij, nëse dikush është i involvuar në korrupsion, ta marrë dënimin e merituar.