Patent_shofer

Mbyllen edhe dy qendra për patentë shoferë

Hetimet e Prokurorisë në lidhje me testet e patentë shoferëve që Ministria e Infrastrukturës (MI) ia dha pa as asnjë procedurë vëllait të gruas së Ministrit Fehmi Mujota kanë quar në mbylljen edhe të dy qendrave të patentë shoferëve, asaj në Mitrovicë dhe Gjilan.

Derisa Prokuroria ka deklaruar ditë më parë për “Zërin” se nuk do të bëjë publik detaje të tjera në poçes të hetimit, qendra për këtë punë në Prishtinë është mbyllur nën dyshimin për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit në ministrinë e Mujotës dhe për falsifikim dokumentesh.

Edhe pse po bëhen afro dy javë që asnjë kandidat nuk i është nënshtruar testit në qendrën e patentë shoferëve në Prishtinë, për ministrin Mujota, miku i të cilit morri punën e shtypjes së testeve, pa asnjë procedurë të prokurimit, Mujota është i sigurt se krejt këto veprime janë bërë për të mirën e përgjithshme.

“Me ndryshimet që janë bërë brenda kësaj kohe jam shumë i sigurt që do të zvogëlohet në maksimum dhe do të ndalet keqpërdorimin në këtë drejtim”, ka thënë Mujota, derisa ndryshimet që janë bërë janë, ndërprerja e kontratës me kompaninë “Europrinty” për shtypjen e testeve dhe dhënia e kësaj pune mikut të Mujotës, ndryshimi i sistemit të testeve dhe rënia e kalueshmërisë në teste nga 80 për qind në 30 për qind.

Pos kësaj, Mujota i ka gjykuar si “goditje gabim” hetimet e Prokurorisë që quan në mbylljen e këtyre tri qendrave. “U bëjë thirrje edhe medieve, edhe atyre që janë duke bërë punën ligjore në këtë drejtim, të jenë të kujdesshëm që të mos godasin në anën e vendin gabuar”, ka thënë Mujota. Ai nuk ka dashur të jap më shumë detaje rreth hetimeve në këtë çështje, me arsyetimin se këtë do ta bëjë të premten në Kuvendin e Kosovës.

Pas ndërmarrjes së këtyre veprimeve hetuesit policorë kanë hasur në po të njëjtat dokumente të dyshuara ku edhe është bërë mbyllja e Qendrës së Patentë Shofereve në Prishtinë dhe vazhdon të jetë e mbyllur. Në këtë vazhdë të hetimeve, tash Prokurorët kanë mbyllur edhe qendrat e patentë shoferëve në Mitrovicë e Gjilan.