Mbrojtja heq dorë nga dëshmitarët për rastin “Kleçka”

Mbrojtja heq dorë nga dëshmitarët për rastin “Kleçka”

Mbrojtja heq dorë nga dëshmitarët për rastin “Kleçka”Ka vazhduar gjykimi i Fatmir Limajt në rastin “Kleçka. Mbrojtja ka hequr dorë nga të gjithë dëshmitarët e planifikuar për t’u thirrur në Gjykatë. “Unë kam pranuar mbrëmë një letër nga avokati i Naser Krasniqit, i cili na njofton se kanë hequr dorë dhe nuk dëshirojnë që t’i thërrasin dëshmitarët”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Malcolm Simons.

Ai ka njoftuar gjithashtu se deri nga mesi i muajit korrik pritet të përfundojë shqyrtimi kryesor në këtë rast për t’u kthyer pastaj në muajin shtator me fjalët përfundimtare, transmeton KTV. 

Artan Qerkini, avokat i Besim Shurdhajt, ka kërkuar që të pandehurve t’u hiqet masa e arrestit shtëpiak, meqenëse është krijuar rrethanë e re dhe tashmë nuk ekziston më arsyeja që ata të ndikojnë te dëshmitarët e tyre, për çka u ishte caktuar masa, pasi nuk do të ketë të tillë. Por, prokurori Mauritzo Salustro, ka thënë se qëndrimi i tyre se ekziston rreziku i ikjes të pandehurve nuk ka ndryshuar.

Për këtë trupi gjykues ka paralajmëruar se do të vendosë brenda ditës ose më së largu nesër në mëngjes. Gjithashtu gjykatësi ka njoftuar se EULEX-i ka refuzuar kërkesën e tyre që ta bëjë publik raportin psikologjik të Agim Zogajt në kohën kur ai ishte në programin e dëshmitarëve të mbrojtur, sepse ai material është klasifikuar si sekret i BE-së.

Ndërkohë është planifikuar që më datën 16 korrik të thirren edhe dy dëshmitarë të propozuar nga trupi gjykues, një arkeolog i forenzikës dhe një patolog, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në zhvarrosjen e disa mbetjeve mortore në Kosovë.