f1_zashtita-jpg1353312886

“Mbrojtja civile” serbe sfidon KFOR-in, EULEX-in e Policinë

Strukturat paralele serbe në veri të Mitrovicës dhe Kosovës sfiduan të dielën publikisht KFOR-in, EULEX-in dhe Policinë e Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.  

Organizata “Civilna Zashtita Mitrovice”, apo “Mbrojtja civile e Mitrovicës”, e cila nga institucionet e Kosovës llogaritet të jetë një nga organizmat që përbëjnë ato që njihen si struktura ilegale të Serbisë në Kosovë, e ka realizuar të dielën në veri të Mitrovicës të ashtuquajturin ushtrim simulues publik të reagimit në rast të emergjencës së zjarrit.

Ani se një veprim i tillë është zhvilluar nën përkujdesjen e Zyrës për Kosovë të Qeverisë serbe, të cilën e drejton Aleksandër Vulin, Qeveria e Kosovës nuk e ka parë të arsyeshme që të reagojë në raport me një aktivitet të tillë. Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi, pasi ka hapur telefonin dhe në fillim ka treguar mirësjellje, me të kuptuar se për çfarë teme ka të bëjë interesimi i gazetës ai e ka ndërruar disponimin. “Hiç… jam tu shku në Bruksel, më kini lodhë, ditën e mirë e bafsh”, ka thënë ai, për ta mbyllur më pas telefonin.

Në Policinë e Kosovës kanë thënë që as nuk e kanë lejuar e as penguar aktivitetin e organizatës serbe.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka treguar që  PK-ja nuk ka marrë asnjë kërkesë për zhvillimin e aktivitetit, por megjithëkëtë ajo e ka përcjellë nga afër atë. Teksa ka folur për gazetën, Hoti e ka prezantuar normal aktivitetin e organizatës serbe. “Zjarrfikësit e kanë pasur një ushtrim që ka filluar në orën 11:00 e ka përfunduar rreth orës 12:00. Ka qenë një simulim i thjeshtë i situatave emergjente në rast zjarri dhe kaq”, ka thënë ai. “Pse të mos i lejojmë zjarrfikësit, kur ata vazhdimisht operojnë në veri? Ne e dimë që në mungesë të institucioneve atje funksionojnë zjarrfikësit, edhe pse po figurojnë si struktura paralele”, ka shtuar Hoti.

Sipas tij, aktiviteti ka mbaruar pa ndonjë incident të regjistruar.

Teksa kanë ushtruar simulimin, anëtarët e pjesëtarët e organizatës “Mbrojtja civile e Mitrovicës” e kanë thirrur emrin e shtetit të Serbisë. Ata kanë treguar mundësitë, shkathtësitë dhe përgatitjet e tyre për shpëtimin e njerëzve në rast të rrezikut në objektet e përfshira nga zjarri. Gjatë demonstrimit të tyre ata nuk kanë pasur ndonjë lloj të armatimit.

Në ushtrimin e së dielës ishin të angazhuar 52 pjesëtarë të Mbrojtjes civile serbe, zjarrfikës dhe ndihma mjekësore. I ashtuquajturi operacioni i shpëtimit të të lënduarve në rast të ndonjë fatkeqësie është zhvilluar në udhëkryqin në afërsi të Shkollës Teknike dhe Lagjes së Boshnjakëve. Udhëheqës i këtij operacioni, sipas burimeve të gazetës, ishte nënkoloneli serb në pension Miodrag Saviq. Saviq është i punësuar në Zyrën e Qeverisë së Serbisë për Kosovë dhe drejton departamentin e emergjencave.  Të gjithë 52 pjesëtarët e të ashtuquajturës Mbrojtje civile serbe kanë pasur të veshura uniforma ngjyrë blu të errëta dhe në shpinë u shkruante në alfabetin cirilik ‘Civilna Zashtita”, si dhe në anglisht “Civilian Corps”. Mbrojtja Cilive serbe ka në regjistrin e saj 385 pjesëtarë që paguhen nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë, ndërsa  komandant i saj është kapiteni Jovica Lazareviq.

Për aktivitetin e së dielës ka folur i ashtuquajturi kryetar i komunës paralele të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, i cili ka theksuar se është njëkohësisht edhe komandant i organizatës “Mbrojtja civile e Mitrovicës”. Ai u është drejtuar pjesëtarëve të “Mbrojtjes civile”, duke u thënë se ata janë njerëzit që do të përballen me situatat e vështira emergjente në veri të Mitrovicës.

Ai ka shtuar se organizata “Mbrojtja civile” do të jetë në shërbimin e të gjithë qytetarëve në veri të Mitrovicës, pavarësisht nga përkatësia kombëtare dhe fetare e tyre. Sipas tij, “Mbrojtja civile” është formuar bazuar në Konventën e Gjenevës, e cila e precizon se për çfarë qëllimesh mund të përdoret mbrojtja civile.

“Mbrojtja civile e Mitrovicës” është organizatë e cila nga institucionet e Kosovës konsiderohet si strukturë paralele që vepron në veri të vendit e financuar nga Serbia.

Ditë më parë zyrtarët e Komunës së Mitrovicës patën reaguar për shkak të pranisë së pjesëtarëve të “Mbrojtjes civile” në pjesën veriore të Mitrovicës, duke shfaqur dyshimet se në këtë organizatë ka edhe pjesëtarë që janë të inkriminuar, të ashtuquajtur “roja të urave”, por edhe pjesëtarë të strukturave të sigurisë të shtetit serb.

Burime të gazetës nga veriu i Kosovës kanë bërë të ditur të dielën që organizata “Mbrojtja civile e Mitrovicës” kësaj jave ka për ta nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë